• on 06/05/2008

13. Hiri i Perëndisë – Atributet e Perendise

Hiri është një përsosmëri e karakterit hyjnor që ushtrohet vetëm ndaj të zgjedhurve. As në Dhjatën e Vjetër e as në Dhjetën e Re nuk përmendet hiri i Perëndisë në lidhje me njerëzimin në përgjithësi, aq më pak me krijesat më të ulta. Nga kjo dallohet nga “mëshira”, sepse mëshira e Perëndisë është “mbi të gjitha veprat e tij” (Ps. 145:9). Hiri është i vetmi burim nga i cili rrjedh mirëdashja, dashuria dhe shpëtimi i Perëndisë ndaj të zgjedhurve të tij. Ky atribut i karakterit hyjnor është përkufizuar në këtë mënyrë nga Abraham Buth në librin e tij ndihmues Mbretërimi i Hirit: “Ёshtë favori i përjetshëm dhe absolut i Perëndisë, shfaqur në vendosjen e bekimeve frymërore dhe të përjetshme ndaj fajtorëve dhe të padenjëve”.

Hiri hyjnor është favori sovran dhe shpëtues i Perëndisë, ushtruar ndaj atyre që nuk kanë asnjë meritë vetvete dhe për të cilën nuk u kërkohet asnjë konpensim. Ёshtë po ashtu favori i Perëndisë që iu shfaqet atyre që jo vetëm nuk kanë asnjë meritë në vetvete por meritojnë vetëm të keqen dhe ferrin. Ky favor është krejtësisht i pamerituar dhe i pakërkuar dhe nuk i bën asnjë përshtypje diçka që gjendet në objektet, tek të cilat përcillet. Hiri as nuk mund të blihet apo fitohet nga krijesa, sepse ndryshe nuk do të ishte më hir. Kur diçka është nga “hiri”, do të thotë që marrësi nuk ka asnjë meritë, pra nuk varet fare prej tij, por e merr atë krejt si bamirësi, pa e kërkuar apo dëshiruar atë.

Shtjellimi i plotë i hirit mahnitës të Perëndisë gjendet në letrat e apostullit Pal. Në shkrimet e tij, “hiri” qëndron në kundërshtim të plotë me çdo vepër dhe meritë, të çfarëdo lloji apo shkallëzimi. Kjo është mëse e qartë nga Rom.11:6. “Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër”. Hiri dhe veprat nuk mund të bashkohen dot, ashtu si acidi dhe alkali. “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë,jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efes. 2:8-9). Favori absolute i Perëndisë nuk mund të bashkohet me meritën njerëzore, ashtu si nuk shkrihen në një vaji dhe uji (Rom. 4:4-5).

Hiri hyjnor ka tre tipare kryesore. Së pari, është i përjetshëm. Hiri është planifikuar para se të niste të ushtrohej, është synuar para se të jepej: “Që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve” (2 Tim.1:9). Së dyti, është falas, sepse askush nuk e ka blerë dot atë: “Por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij”, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus”. Së treti, është sovran, sepse Perëndia e ushtron dhe ua jep atyre që dëshiron t’ua japë: “Ashtu edhe hiri të mbretërojë” (Rom.5:21). Nëse hiri “mbretëron”, do të thotë që është në fron dhe ai që është ulur në fron është sovran. Prandaj “froni i hirit” (Heb.4:16).

Meqenëse hiri është favor i pamerituar, ai duhet të ushtrohet në një mënyrë sovrane. Prandaj Zoti shpall: “Do të mëshiroj atë që do të mëshiroj” (Eksodi 33:19). Nëse Perëndia do t’u tregonte mëshirë të gjithë pasardhësve të Adamit, njerëzit do të konkludonin menjëherë se ai ishte i detyruar me të drejtë që t’i merrte në qiell, si një konpensim i duhur për shkak se lejoi racën njerëzore që të binte në mëkat. Por Perëndia i madh nuk ndodhet nën asnjë detyrim ndaj krijesave të tij, aq më pak ndaj atyre që kanë rebeluar ndaj tij.

Jeta e përjetshme është dhuratë, ndaj dhe as nuk mund të fitohet me anë të veprave të mira e as nuk mund të shpallet si e drejtë. Duke qenë se shpëtimi është “dhuratë”, kush ka të drejtë t’i thotë Perëndisë se kujt duhet t’ia japë? Jo se Dhënësi ia refuzon dhuratën atyre që e kërkojmë me gjithë zemër dhe sipas rregullave të vendosura nga ai vetë. Aspak!. Ai nuk refuzon askënd që vjen te ai duarbosh dhe sipas vullnetit të tij. Por nëse në një botë me rebelë mosbesues dhe që nuk pendohen, Perëndia vendos të ushtrojë të drejtën e tij sovrane duke zgjedhur një numër të caktuar që të shpëtohen, a i bëhet keq kujt? A është Perëndia i detyruar që t’ua imponojë dhuratën atyre që nuk e çmojnë atë dhe që të shpëtojë ata që janë të vendosur për të ecur sipas dëshirës së tyre?

Por nuk ka gjë tjetër që ta inatosë më shumë njeriun natyror dhe të nxjerrë në pah armiqësinë e tij të natyrshme e të regjur kundër Perëndisë, sesa të theksosh përjetësinë, lirinë dhe sovranitetin absolut të hirit hyjnor. Fakti që Perëndia duhet të kishte formuar qëllimin e tij nga përjetësia, pa u konsultuar me krijesën, është shumë përulëse për zemrën e pathyer. Fakti që ky hir nuk mund të fitohet me anë të përpjekjeve njerëzore kërkon nga vetë-drejtësia mohimin e vetes. Dhe fakti që ky hir veçon atë që dëshiron të jetë objekti i favorizuar, provokon protesta të fuqishme nga rebelë kryeneçë. Argjila ngrihet kundër Poçarit dhe e pyet: “Pse më ke krijuar në këtë mënyrë?” Një rebel i shfrenuar guxon të vërë në pikëpyetje drejtësinë e sovranitetit Hyjnor.

Hiri i veçantë i Perëndisë shihet në shpëtimin e atyre që ka veçuar me sovranitet për të qenë më të preferuarit e tij. Me “veçim” e kemi fjalën për faktin që hiri diskriminon, sjell ndryshime, zgjedh disa dhe shpërfill disa të tjerë. Pikërisht hiri veçues e zgjodhi Abrahamin nga mesi i fqinjëve të tij idhujtarë dhe e bëri atë “mikun e Perëndisë”. Ishte po hiri veçues që shpëtoi “mëkatarët e pijanecët”, por tha për farisenjtë fetarë “Hiqni dorë prej tyre (Mat.15:14). Askund nuk shkëlqen më me spikatje lavdia e hirit të lirë dhe sovran të Perëndisë sesa në padenjësinë dhe ndryshueshmërinë e objekteve të tij. Ja sa bukur e ka ilustruar këtë Xheims Hervi (1751):

Sipas deklaratës së gjykatës qiellore, aty ku ka me bollëk mëkat, edhe hiri është me bollëk. Manaseu ishte një përbindësh i madh, sepse bëri që fëmijët e tij të kalonin përmes zjarrit dhe e mbushi Jeruzalemin me gjak të pafajshëm. Manaseu ishte ekspert i paudhësisë, sepse jo vetëm që i shtoi sakrilegjet e tij por edhe helmoi parimet dhe i çoroditi më shumë subjektet e tij, duke i shtyrë që të silleshin më keq se idhujtarët më të urryer të pafe (shih 2 Kron.33). E megjithatë, ai përulet përmes këtij hiri mëse të bollshëm, ai reformohet dhe bëhet fëmijë i dashurisë falëse, një trashëgimtar i lavdisë të pavdekshme.

Ja dhe përndjekësi mizor dhe gjakatar, Sauli, i cili me kërcënimet e tij dhe zellin e tij vrastar, i trazoi dhe madje ekzekutoi për vdekje dishepujt e Krishtit, duke u shkaktuar kërdi familjeve të pambrojtura, me një frymë hakmarrëse. Në vend që të ngopej me këtë gjueti të egër gjaku, ai ngulmoi akoma drejt rrugës së shkatërrimit, me një etje të paepur për dhunë. Kjo etje është aq e zjarrtë dhe e papërmbajtur saqë madje shfryu akoma kërcënime dhe kërdi (Veprat 9:1). Fjalët e tij ishin si shtiza dhe shigjeta e gjuha si një shpatë e mprehtë. Kërcënimi i të krishterëve është aq i natyrshëm për të sa ç’është frymëmarrja për njeriun. Ai është i pushtuar nga zemra e tij inatçore. Vetëm nga dëshira për pushtet, që çdo fjalë që thotë, çdo frymë që merr, kërkon vetëm vdekje dhe i rrëzon disa nga prej dishepujve të pafajshëm. Kush, duke u nisur nga parimet e gjykimit njerëzor, nuk do ta kishte deklaruar atë një mjet zemërimi, i paracaktuar që të dënohej patjetër? Kush nuk do të konkludonte se prangat më të fuqishme dhe biruca më e thellë në botën e mjerimit, do të rezervoheshin për një armik kaq të paepur të perëndishmërisë së vërtetë? E megjithatë, admiro dhe adhuro thesaret e pashtershme të hirit, sepse ky Saul pranohet në bashkësinë e mirë të profetëve, rradhitet në ushtrinë fisnike të martirëve dhe shquhet ndër apostujt e lavdishëm.

Korintasit ishin të famshëm në ligësi. Disa prej tyre zhyteshin në vese të tilla të neveritshme dhe padrejtësi që ishin të turpshme për natyrën njerëzore. Por edhe këta bij dhune dhe skllevër të sensualizmit u lane, u shenjtëruan dhe u shfajësuan (1 Kor. 6:9-11). “Të larë” në gjakun e çmuar të një Shpenguesi që vdiq; “shenjtëruar” nga veprimet e fuqishme të Frymës së bekuar; dhe “shfajësuar” përmes mëshirave të mëdha të një Perëndie të hirshëm. Ata që ishin barrë për këtë botë janë tani gëzimi i qiellit dhe kënaqësia e engjëjve.

Tani hiri i Perëndisë shfaqet në dhe përmes Zotit Jezu Krisht. “Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit” (Gjoni 1:17). Kjo s’do të thotë se Perëndia nuk ka ushtruar hir para se të mishërohej Biri i tij, pasi Zanafilla 6:8, Eksodi 33:19, etj tregojnë qartë të kundërtën. Por hiri dhe e vërteta u zbuluan dhe ilustruan përsosmërisht kur Shpenguesi erdhi në botë dhe vdiq për popullin e tij në kryq. Vetëm përmes Krishtit si Ndërmmjetës, hiri i Perëndisë arrin të zgjedhurit. “Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jezu Krishtit, i teproi për shumë të tjerë. Në fakt, në qoftë se prej shkeljes së këtij njërit vetëm vdekja mbretëroi për shkak të atij njërit, akoma më shumë ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës se drejtësisë do të mbretërojnë në jetë me anë të atij njërit, që është Jezu Krishtit…me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Rom. 5:15, 17, 21).

Hiri i Perëndisë shpallet në Ungjillin (Veprat 20:24), që është për judeun krenar një “skandal” dhe “marrëzi” për grekun kryelartë që filozofon. Dhe përse? Sepse nuk ka asgjë në të që përputhet me të kënaqurit e krenarisë së njeriut. Ungjilli shpall se nëse nuk jemi të shpëtuar nga hiri, nuk mund të shpëtohemi fare. Shpall se pa Krishtin, Dhurata e papërshkrueshme e hirit të Perëndisë, gjendja e çdo njeriu është e mjerueshme, e pashpresë, pandreqshmërisht. Ungjilli u drejtohet njerëzve si kriminelë fajtorë, të dënuar e të humbur. Shpall se moralisti më i dëlirë ndodhet në të njëjtën mjerim me të shthururin më epshor dhe profesorin që përmbsh zell tërë detyrat fetare, nuk është më i mirë sesa i pabesi më blasfemues.

Ungjilli e sheh çdo pasardhës të Adamit si një mëkatar të rënë, ndotur, të pashpresë e që meriton ferrin. Hiri që Ungjilli shpall është shpresa e vetme që ai ka. Të gjithë qëndrojnë para Perëndisë të dënuar si shkelës të ligjit të tij të shenjtë, si kriminelë fajtorë dhe të dënuar, që nuk janë duke pritur thjesht dënimin, por edhe ekzekutimin e dënimit të marrë tashmë (Gjoni 3:18; Rom.3:19). Të ankohesh kundër anësisë së hirit është vetëvrasje. Nëse mëkatari këmbëngul drejtësinë e merituar, atëherë Liqeni i Zjarrtë duhet të jetë pjesa që i takon në përjetësi. Shpresa e tij e vetme qëndron në përuljen ndaj vendimit që ka shpallur mbi të drejtësia Hyjnore, duke e pranuar drejtësinë absolute të tij, duke iu dorëzuar mëshirës së Perëndisë dhe duke e zbrazur veten ndaj hirit të Perëndisë, që tani i është zbuluar në Ungjillin.

Personi i tretë i Hyjit është Komunikuesi i hirit, prandaj ka marrë emrin “Fryma e hirit” (Zakaria 12:10). Perëndia Ati është Burimi i çdo hiri, pasi ai projektoi në vetvete besëlidhjen e përjetshme. Perëndia Biri është kanali i vetëm i hirit. Ungjilli është Shpallësi i hirit. Fryma është Dhënësi e ai që e zbaton Ungjillin me fuqi shpëtuese ndaj shpirtit, duke u dhënë jetë të zgjedhurve ndërsa janë shpirtërisht të vdekur, duke mposhtur vullnetin e tyre rebel, duke shkrirë zemrat e tyre të ngurtësuara, duke u hapur sytë e verbër e duke i pastruar nga lebroza e mëkatit. Prandaj mund të themi me të ndjerin G.S.Bishop:

Hiri është për njerëzit që janë aq të rrëzuar sa nuk mund ta ngrenë sëpatën e drejtësisë, aq të prishur saqë nuk mund të ndryshojnë natyrën, që është kundërshtare ndaj Perëndisë, saqë nuk pranon të kthehet te Ai, aq e shurdhër sa nuk mund ta dëgjojë atë dhe aq e vdekur saqë Ai vetë duhet të hapë varret dhe t’i ngrejë në ngjallje.