• on 06/05/2008

11. Mirësia e Perëndisë – Atributet e Perendise

  Mirësia e Perëndisë zgjat vazhdimisht” (Ps. 52:1). “Mirësia” e Perëndisë i referohet përsosmërisë së natyrës së tij: “Dhe ky është mesazhi që dëgjuam nga ai dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë” (1 Gjoni 1:5). Ka një përsosmëri aq absolute në natyrën dhe qenien e Perëndisë, saqë asgjë nuk mund t’i shtohet asaj.

     Ai është që nga fillimi i mirë, prej Vetvetes, e asgjë tjetër nuk është e tillë, sepse tërë krijesat janë të mira vetëm kur komunikojnë me Perëndinë. Ai është në substancë i mirë; jo vetëm i mirë, por është vetë mirësia; mirësia tek një krijesë është një cilësi jo thelbësore, kurse te Perëndia është esenca e Tij. Ai është pafundësisht i mirë; mirësia tek krijesa është vetëm një pikë në oqean, kurse te Perëndia është një oqean i pafund ose një përmbledhje e të gjithë të mirës. Ai është përjetësisht dhe pandryshueshmërisht i mirë, sepse nuk mund të jetë më pak i mirë sesa është në të vërtetë; asgjë nuk mund t’i shtohet dhe asgjë nuk mund t’i hiqet Atij.Tomas Manton

     Perëndia është summum bonum, mirësia më e madhe.Perëndia nuk është vetëm qenia më e Madhe, por më e mira. Çdo mirësi që gjendet në një krijesë është vendosur nga Krijuesi, por mirësia e Perëndisë është e paderivueshme, sepse është esenca e natyrës së tij të përjetshme. Ashtu si Perëndia është që nga përjetësia i pafund në fuqi, para se të zbulohej ndonjë gjë ose para se të të kryhej ndonjë akt i plotfuqishmërisë, ashtu ai ka qenë përjetësisht i mirë para se të niste t’u ndante nga bollëku i tij krijesave. Pra, duke u dhënë çdo krijese frymën e gjallë, Perëndia manifestoi për herë të parë këtë përsosmëri hyjnore. “Ti je i mirë dhe bën të mira” (Ps.119:68). Perëndia ka në vetvete një thesar të pafund dhe të pashterueshëm të çdo bekimi, që mjafton për të mbushur gjithçka.

     Gjithçka që buron nga Perëndia, dekretet, krijimi, ligjet e tij, providencat e tij nuk mund të mos jenë veçse të mira, siç është shkruar: “Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë” (Zan. 1:31). Pra, “mirësia” e Perëndisë shihet, së pari në krijimin. Sa më shumë të studiohet një krijesë nga afër, aq më shumë bëhet e dukshme mirësia e Krijuesit të saj. Të shohim krijesën më të lartë në këtë botë, njeriun. Arsyeja e shëndoshë pajtohet me psalmistin: “Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë” (Ps. 139:14). Gjithçka në strukturën e trupave tanë provon mirësinë e Krijuesit të tyre. Sa të përshtatshme i ka krijuar ai duart për të kryer punën që u është caktuar! Sa mirë që Zoti ka krijuar gjumin për të freskuar trupin e lodhur! Sa i dashur që u ka dhënë syve kapakët dhe vetullat për t’i mbrojtur! Dhe mund të vazhdojmë kështu pambarim.

     E as nuk kufizohet mirësia e Krijuesit ndaj njeriut, por ushtrohet ndaj të gjitha krijesave. “Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur. Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë” (Ps.145:15-16). Vëllime të tëra mund të shkruhen dhe janë shkruar për të theksuar këtë fakt. Perëndia siguron me bollëk për zogjtë e ajrit, për bishat e fushës apo peshqit e detit dhe u plotëson të gjitha nevojat. “Ai i jep ushqim çdo krijese, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë” (Ps.136:25). Vërtet “Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit” (Ps.33:5).

     Mirësia e Perëndisë shihet në morinë e kënaqësive natyrore që ka siguruar për krijesat e tij. Perëndia mund të kënaqej që ta plotësonte urinë tonë pa e bërë ushqimin të shijshëm për qiellzat tona por mirësia e tij duket në aromat e ndryshme që u ka dhënë mishrave, perimeve dhe frutave! Perëndia nuk na ka dhënë vetëm shqisa por edhe ato që i kënaqin shqisat dhe kjo zbulon mirësinë e tij. Toka mund të kishte qenë po aq pjellore sa ç’është edhe pa faqen e saj të zbukuruar me lloj lloj ngjyrash. Jetët tona mund të mbaheshin edhe pa lulet e bukura që kënaqin sytë tanë me ngjyrat e tyre dhe vrimat e hundës me parfume të ëmbla. Ne mund të ecnim në fusha edhe pa na u përshëndetur veshët nga meloditë e zogjve. Atëherë, nga vjen kjo kënaqësi, kjo magjepsje, që jepet aq bujarisht mbi tërë faqen e dheut? Në fakt, “Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij” (Ps. 145:9).

     Mirësia e Perëndisë shihet në faktin që kur njeriu shkeli ligjin e Krijuesit të tij, nuk nisi menjëherë një periudhë zemërimi e papërmbajtur, ndërkohë që Perëndia mund t’i kishte privuar krijesat e tij të rëna nga çdo bekim, çdo ngushëllim e çdo kënaqësi. Por jo, ai filloi një regjim të një natyre të përzier, mëshire dhe gjykimi. Kjo është mjaft e mrekullueshme nëse konsiderohet si duhet dhe sa më shumë që ai regjim shqyrtohet, aq më shumë shihet se “mëshira triumfon mbi gjykimin” (Jakobi 2:13). Megjithë të gjitha këqijat që bien mbi ne, balanca e të mirës mbizotëron. Me përjashtime të rralla, njerëzit kalojnë një numër shume më të madh ditësh me shëndet të mirë sesa me sëmundje dhe dhembje. Ka më shumë lumturi sesa mjerim në krijesat e botës. Edhe shqetësimet tona lejojnë një lehtësim të ndjeshëm dhe Perëndia i ka dhënë mendjes së njeriut një aftësi që e ndihmon për t’u përshtatur me rrethanat dhe i shfrytëzon maksimalisht ato.

     As nuk mund të vihet në pikëpyetje mirësia e Perëndisë me drejtësi, pse ka vuajtje dhe pikëllime në botë. Nëse njeriu mëkaton kundër mirësisë së Perëndisë, nëse ai përbuz “pasuritë e mirësisë së tij, të durimit dhe zemërgjerësisë së tij…për shkak të ashpërsisë sate dhe të zemrës së papenduar, po mbledh për veten tënde zemërim për ditën e zemërimit” (Rom. 2:4-5), kush tjetër përveç tij ka faj? Do të ishte Perëndia i “mirë” nëse nuk do të dënonte ata që i keqpërdorin bekimet e tij, që abuzojnë me mirësinë dhe i nëpërkëmbin mëshirat e tij? Nuk do të hedhë dyshime mbi mirësinë e Perëndisë, por do ta ilustrojë më së miri atë, kur ai të zhdukë nga faqja e dheut ata që shkelin ligjet e tij, sfidojnë autoritetin e tij, tallen me lajmëtarët e tij dhe përqeshin Birin e tij dhe përndjekin ata për të cilët ka vdekur.

     Mirësia e tij u shfaq më qartë kur dërgoi Birin e tij “ të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë” (Gal. 4:4-5). Pastaj, një mori engjëjsh lavdëruan krijuesin duke thënë “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!” (Luka 2:14). Po, në ungjillin “hiri”, (që në greqisht jep idenë e mirëdashjes apo mirësisë së Perëndisë) shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve” (Titit 2:11). As nuk mund të vihet në pikëpyetje sepse nuk ua zbuloi hirin e tij shpengues të gjitha krijesave mëkatare. Ai nuk ua dha atë engjëjve të rënë në mëkat. Nuk do të kishte fare të bënte me mirësinë e Perëndisë, nëse ai do t’i linte të gjithë të humbisnin. Nëse dikush do të guxonte ta sfidonte këtë, do t’i kujtoja prerogativën sovrane të Zotit tonë: “A nuk më lejohet të bëj me timen ç’të dua? Apo bëhesh sylig, sepse unë jam i mirë?” (Mateu 20:15).

     “Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve” (Ps. 107:8). Mirënjohja është çfarë u kërkohet me të drejtë objekteve të bamirësisë së tij; por shpesh duke qenë se mirësia e tij është aq e bollshme dhe e pashterueshme, kjo mirënjohje i privohet nga krijesat këtij Mirëbërësi të madh. Nuk vlerësohet si duhet, sepse ai na e jep gjatë ngjarjeve të përditshme që na ndodhin. Nuk ndjehet sepse e përjetojmë çdo ditë. “Apo i përçmon pasuritë e mirësisë së tij”? (Rom.2:4). Mirësia e tij “përçmohet” kur nuk shfrytëzohet si një mjet që të çon në pendim, por në të kundërtën i ngurtëson, nga ideja se Perëndia nuk i përfill fare mëkatet e tyre.

     Mirësia e Perëndisë është jeta e besimit të të krishterit. Pikërisht kjo përsosmëri e Perëndisë i flet më shumë zemrave tona. Meqenëse mirësia e tij zgjat përjetë, nuk duhet të na lëshojë kurrë zemra: “Zoti është i mirë, është një fortesë në ditën e fatkeqësisë; ai i njeh ata që kërkojnë strehë tek ai” (Nahumi 1:7).

Kurt ë tjerët sillen keq me ne, duhet që të na nxisë që të falenderojmë më fort Zotin, sepse është i mirë; dhe kur ne vetë jemi të vetëdijshëm se jemi larg së qënit të mirë, aq më shumë duhet ta bekojmë Atë me nderim se është i mirë. Për asnjë çast nuk duhet të lejojmë idenë e mosbesimit ndaj mirësisë së Zotit. Nëse kemi ndonjë dyshim për ndonjë gjë tjetër, për këtë duhet të jemi absolutisht të sigurt, që Jehovahu është i mirë; Ai mund të veprojë në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme, por nga natyra është është përjetësisht i njëjtë. C.H. Spërxhën