10-Nga Qumështi në Mish

  • on 06/05/2015

10-Nga Qumështi në Mish

 …I shpallur kryeprift nga Perëndiaa sipas rendit të Melkisedekutpër të cilin kemi shumë gjëra për të thënë, por të vështira për t’u shpjeguar, sepse ju jeni rënduar nga veshët për të dëgjuar. 12 Sepse, ndonëse tashmë duhet të ishit mësues, keni përsëri nevojë që t’ju mësojnë njohuritë e para të orakujve të Perëndisë, dhe keni nevojë për qumësht, dhe jo për ushqime të forta. 13 Sepse kushdo që ushqehet me qumësht nuk ka përvojën e fjalës së drejtësisë, sepse është foshnjë; 14 kurse ushqimi i fortë është për të rriturit, të cilët, nga përvoja, i kanë të zhvilluara vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen. 1Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia, 2 nga doktrina për pagëzimet, të vënies së duarve, të ringjalljes të të vdekurve dhe të gjyqit të përjetshëm; 3 dhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia. Hebrenjve 5:11-6:3

Pasi autori apostolik i Letrës drejtuar Hebrenjve ka shpalosur supremacinë e Krishtin mbi profetët e Dhiatës së Re (1:1-3); mbi engjëjt (1:4-14); mbi Moisiun (3:1-4:13); madje edhe mbi kryepriftërinjtë e Dhiatës së Vjetër (4:14-5:10); ai dëshiron që të shpalosë së fundmi priftërimin e përjetshëm të Krishtit si kryeprifti ynë, sipas rendit të Melkizedekut. Kjo është një doktrinë e thellë dhe vështirë si për tu prezantuar ashtu edhe për tu kuptuar. Por sapo fillon që ta bëjë këtë gjë, tek vargu 5:10, autori kupton se ka një problem pedagogjik në duar, dhe se nuk mund të bëjë përpara pa e adresuar atë më parë. Për kryepriftërinë e Krishtit sipas rendit të Melkizedekut, thotë ai, “kemi shumë për të thënë, por vështirë për tu shpjeguar sepse u bëtë të ngjathët në dëgjim,” (5:11).

Si rrjedhim, autori vendos të adresojë papjekurinë e lexuesve dhe mungesën e zellit frymëror. Nxitja e qortimi që ai jep në këtë pasazh është i shkurtër por me intensitet, dhe është ndoshta një prej paralajmërimeve më të rënda në faqet e Dhiatës së Re, sepse autori adreson në shtatë vargje, papjekurinë e tyre shpirtërore, rrezikun e rënies dhe apostazisë që u kanoset, apo të rënies plotësisht nga besimi.

Një Besim Fëminor

Pasazhi fillon me një qortim që shpjegon se përse autori nuk mund të vazhdojë më tej me shpjegimin e doktrinës së Krishtit: “për të cilin kemi shumë gjëra për të thënë, por të vështira për t’u shpjeguar, sepse ju jeni rënduar nga veshët për të dëgjuar. 12 Sepse, ndonëse tashmë duhet të ishit mësues, keni përsëri nevojë që t’ju mësojnë njohuritë e para të orakujve të Perëndisë, dhe keni nevojë për qumësht, dhe jo për ushqime të forta.” (5:11-12).

Nga ky pasazh kuptojmë që kjo bashkësi e këta besimtarë nuk ishin të rinj në besim, “tashmë duhet të ishit mësues,” u thotë ai. Jo se ata të gjithë duhet të ishin tashmë pastorë e drejtues, por se duhet të ishin në gjendje që të instruktonin të paktën të tjerët në gjërat bazë të besimit. Kur në fakt ata nuk kanë kuptuar elementet bazë të së vërtetave të Fjalës së Perëndisë.

Marrësit e kësaj letre ndoshta ishin si shumica e të Krishterëve sot të cilët mendojë se teologjia është një humbje kohe. Se nuk ka rëndësi që të mësojmë ndonjë gjë mbi Trinitetin, apo se si funksionon drejtësia e Krishtit në shpëtimin e besimtarëve, apo detajet e ndërlikuara të doktrinës së pagëzimit. Shumë ungjillorë mendojnë sot se e rëndësishme është që ne t’ia kalojmë mirë me njëri-tjetrin. Madje ata edhe citojnë pasazhe që lavdërojnë besimin si të fëmijës. Gabimi është se ndërsa Krishti lavdëron besimin që është si i foshnjes, ai nuk lavdëron papjekurinë apo të qenit fëminor në besimin tonë. Duhet të kemi një besim fëmijëror dhe jo fëminor. Si rrjedhim, shumica e besimtarëve e ushqejnë veten e tyre me qumësht dhe jo me ushqime të forta, dhe këtu është edhe faji i Kishave dhe i drejtuesve të tyre që ua pranojnë e madje inkurajojnë këtë ide. E vërteta është se foshnjat rriten vetëm me qumësht, dhe kështu duhet të jetë në fillimet e besimit. Por më pas, për të kaluar në pjekurinë e besimit dieta duhet të jetë më solide. Injoranca e çuditshme mbi Biblën dhe doktrinat e saj, cekëtia e besimit dhe e kuptimit në pikën ku shumica e besimtarëve nuk dinë se çfarë besojnë, nuk dinë se si ta argumentojnë apo artikulojnë, dhe as nuk janë në gjendje që ta mbrojnë atë në Bibla është edhe arsyeja që bota nuk është e interesuar në ato që Kisha e besimtarët kanë për të thënë. Nëse ne nuk jemi të interesuar për të ditur se çfarë besojmë, aq më pak bota jashtë është e interesuar në ato që ne deklarojmë por injorojmë apo thjesht anashkalojmë.

Prandaj, autori duke përdorur fjalë të ngjashme me të Apostullit Pal tek 1 Kor. 3:1-2, shkruan, “Sepse, ndonëse tashmë duhet të ishit mësues, keni përsëri nevojë që t’ju mësojnë njohuritë e para të orakujve të Perëndisë, dhe keni nevojë për qumësht, dhe jo për ushqime të forta. 13 Sepse kushdo që ushqehet me qumësht nuk ka përvojën e fjalës së drejtësisë, sepse është foshnjë; 14 kurse ushqimi i fortë është për të rriturit, të cilët, nga përvoja, i kanë të zhvilluara vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen.” (5:12-14).

Shenja dalluese e foshnjeve shpirtërore, thotë ai, është që ata janë “të paaftë në fjalën e drejtësisë.” Fjala e drejtësisë nuk i referohet kodit moral, sepse letërmarrësit ishin judenj prej shumë shekujsh dhe ishin plotësisht të trajnuar në Dhjetë Urdhëresat e çështjet e moralit dhe etikës. Fraza i referohet drejtësisë që vjen nga Perëndia në Ungjill përmes veprës së Jezus Krishtit dhe që duhet marrë përmes besimit. Tek Heb. 5:8-10 ai flet për bindjen e Krishtit në rolin e tij si Shpëtimtari ynë, dhe se përmes drejtësisë që Ai fiti, Krishti bëhet “burimi i shpëtimit tonë të përjetshëm” (5:9).

Mesazhi është pra që foshnjat e përjetshme nuk janë në gjendje që të artikulojnë apo mbrojnë bazat e besimit. Përndryshe përse marrësit e letrës ndjeheshin të tunduar dhe të lëkundur për të lënë besimin në Krishtin dhe po konsideronin kthimin në Judaizëm. Letër-marrësit formonin një bashkësi që e kishte identifikuar veten me Krishtin por që nuk kuptonte se si besimi në Krishtin funksiononte. Ndoshta kjo nuk është e rëndësishme për aq kohë sa njerëzit po vinë në besimin shpëtues në Krishtin, por ka rëndësi nëse situata vazhdon e tillë. Se ku qëndron problemi praktik me këtë lloj cekëtire shpirtërore e shpjegon vetë autori kur thotë se ata nuk “i kanë të zhvilluara vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen.” (5:14).

Pra, besimtarët e papjekur bien, mashtrohen dhe ngatërrohen lehtë . Tek Efesianëvve 4:14, Pali shpreh të njëjtin shqetësim kur thotë: “që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrine, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit.” Ai që nuk rritet, eventualisht bie.

Shumë studiues të situatës në komunitetin Ungjillor kanë vënë në dukje antitezat fallso ndërmjet zemrës dhe mendjes që e ka çuar kishën ungjillorë në përgjithësi në një lloj anti-intelektualizmi: Nëse të pëlqen teologjia dhe që të lexosh atëherë me siguri që ti duhet të jesh i ftohtë shpirtërisht dhe pa dashuri. Kjo ka qenë deklarata që më ka bërë një ish-pastori im, kur i shpreha dëshirën për të studiuar në një seminar teologjik si përgatitje për shërbesë. Si rrjedhim, ne jemi shpesh herë një popull me një përjetim të thellë e të vërtetë të Perëndisë, por nuk jemi më një popull i së vërtetës së Perëndisë sic na është shpallur në Bibël. Historiani Mark Noll, në librin e tij Skandali i Mendjes Ungjillore shkroi: “Skandali i vërtetë i mendjes ungjillore është se nuk ka shumë mendje ungjillore…Ndryshe nga paraardhësit e tyre shpirtëror, ungjillorë modernë nuk kanë insistuar në një njohje të thellë e të gjithanshme nën Perëndinë, dhe as nuk kanë synuar që mendja e tyre të transformohet në çdo aspekt të saj nga perspektiva Biblike.”

Të jesh i mërzitur me studimin e teologjisë do të thotë të jesh i mërzitur me studimin dhe njohjen e vetë Perëndisë, pasi ky është qëllimi i saj, njohja intime, me mendje dhe me zemër e Perëndisë Triune, me qëllim që ti shërbejmë atij më mirë dhe për ta bërë atë të njohur akoma dhe më mirë.

Shenjtat e (Pa)pjekurisë

Cilat janë shenjtat e një besimtari fëminor? vargjet 11-44 theksojnë tre tipare kryesore. Së pari, një besimtar i tillë është i cekët nuk njohjen dhe dëshirën për të njohur. Kjo zbulohet duke i përgjigjur pyetjes: Për çfarë mendon gjatë ditës kur nuk je i zënë me punët e rëndësishme të ditës? Si e kalon kohën e lirë? Cilat janë disa libra që ke lexuar së fundi (nëse ke lexuar ndonjë libër këtë vit)? Cilat janë disa gjëra që ti i ndjek me interes në jetë? A je i dhënë pas kënaqësive të tua, dëshirave, përjetimeve, apo je i interesuar që të zbulosh më shumë e të përjetosh më shumë karakterin e Perëndisë, thesaret e ungjillit, e madje të aftësohesh për tu përballur me sfidat e përfaqësimit të Jezus Krishtit në këtë botë armiqësore?

Nëse thua se, “Për aq kohë sa dua Jezusin, nuk ka rëndësi se çfarë besoj,” atëherë ti kurrë nuk do të rritesh në besim, nuk do të transformohesh në karakter, dhe as nuk do të jesh shumë i vlefshëm në shërbimin tënd ndaj Perëndisë. Nuk ka studim me më shumë përfitime se sa studimi i veprave të mrekullueshme shpëtuese të Perëndisë. Besimtarët fëminorë nuk dinë shumë për këto gjëra, dhe as nuk u interesojnë këto gjëra veçse probleme e tyre të vogla, principatat e tyre të vogla e meskinë brenda Kishës së Krishtit që kanë pllakosur Kishat ungjillore në çdo anë të vendit.

Së dyti, të Krishterë të tillë nuk janë shumë të vlefshëm për mbretërinë e Perëndisë. Nëse besimtari nuk ndihmon dot veten, nuk ka se si të ndihmojë të tjerët. Nëse nuk është në gjendje që të navigojë përmes ujërave të turbullta të herezive e trendeve, doktrinave të rrema e praktikave të gabuara, aq më pak ai nuk është në gjendje që të drejtojë apo ndihmojë të tjerët. Personi mund të jetë aktiv në kishën lokale, por zakonisht bën më shumë dëm se sa mirë, si puna e atij mjekut të paaftë që të afrohet për të të ndihmuar por pa vlerë. “Ju duhej të ishit mësues,” shkruan autori, dhe kuptimi është se nuk janë.

Gabimisht, shumë mendojnë se duhet t’ua lënë instruktimin shpirtëror pastorëve apo drejtuesve të kishave. Cila do qoftë situata personale në jetë, është përgjegjësia e çdo njërit prej besimtarëve që të rritet në kuptimin dhe praktikimin e mësimit Biblik. Për shembull, kryetari i një familje kristiane, si bashkëshort nuk mund të sigurojë e japë inkurajimin shpengues që gruaja e tij ka nevojë që të marrë prej tij, dhe as nuk mund të jetë, si babai i fëmijëve, në gjendje që të rrisë fëmijët e tij në ndrojen dhe instruktimin e Perëndisë, pa një kuptim të mirë e të detajuar të mësimit biblik.

Po kështu edhe për femrat. Apostulli Pal flet me një farë përbuzje për “femrat e ngarkuara me mëkate” të cilat nuk janë në gjendje që të qëndrojnë fort në të vërtetën e Perëndisë (2 Tim 3:6-7). Pali pret që gratë më të vjetra në moshë dhe në besim të jenë burim inkurajimi, urtësie dhe instruktimi për më të rejat në moshë dhe në besim, siç edhe thotë tek Timoteu 2. Në fakt çdo i krishterë duhet të jetë “gjithnjë gati për mbrojtje ndaj kujtdo që ju kërkon fjalë për shpresën që është në” atë (1 Pje. 3:15).

Shenjta e tretë e papjekurisë të besimtarëve bebe e a dhëmbë është paaftësia për të dalluar të mirën nga e keqja. Këtu bëhet fjalë si për zgjedhjet morale ashtu edhe për dallimin e mësimeve dhe praktikave të drejta nga ato të gabuarat.

Në të gjitha këto raste, zgjidhja është e njëjtë: mëso të vërtetën, stërvit mendjen, kupto mirë dhe plotësisht ABC-në e besimit, dhe avanco drejt një përvetësimi të thellë dhe të gjerë të së vërtetave biblike.

Bazat e Besimit

Cilat janë disa nga mësimet bazë të doktrinës Kristiane? Kisha historikisht i ka dhënë përgjigje kësaj pyetje duke prodhuar kredo apo rrëfime të besimit. Kështu përmendim Kredon e Apostujve, Kredon e Nikeas (AD 325), Rrëfimi i Uestminsterit (AD 1646), Katekizma e Heidelbergut (AD 1563), Katekizma e Shkurtër e Uestminsterit (AD 1646), Rrëfimi i Besimit Baptist (AD 1689), etj. Kishat e kanë bërë këtë mbi modelin Bibik që gjejmë tek vargjet 6:1-2. Në këtë pasazh, autori i letrës, jep një përmbledhje të shkurtër të besimit të Krishterë në formën e një liste të shkurtër doktrinash që duhen besuar e studiuar. Çfarë përfshihet në këtë listë? Në të përfshihet doktrinat e shfajësimit, e shenjtërimit  dhe të lavdërimit të besimtarit në Krisht, i cili është edhe shpresa jonë e vetme si në jetë ashtu edhe në vdekje.

Lexojmë pra, “Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia, 2 nga doktrina për pagëzimet, të vënies së duarve, të ringjalljes të të vdekurve dhe të gjyqit të përjetshëm; 3 dhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.” (6:1-3). Në këto vargje gjejmë gjashtë artikuj besimi të ndara në tre grupe. Së pari, autori flet për “themelin e pendimit nga veprat e vdekura, dhe besimit të Perëndisë.” Pra, së pari doktrina e pendimit dhe besimit. Sigurisht që këto dy artikuj shkojnë bashkë. Lëvizja nga mosbesimi drejt Krishtit fillon me njohjen dhe pranimin e mëkatit dhe të gjendjes tonë të mjerë të rënë për shkak të mëkateve dhe fajit të tyre, dhe pendimi prej akteve, mendimeve e dëshirave që të çojnë drejt vdekjes. Veprat e vdekura në këta pasazh janë veprat e mëkatshme që qëndrojnë nën gjykimin e dënimin e Perëndisë (Rom. 6:19-21), si dhe të gjitha përpjekjet tona njerëzore për të fituar e merituar vetë shpëtim tonë. Një përkufizim i mirë i pendimit është ky:

Pendimi që sjell jetë është një hir shpëtues, përmes të cilit mëkatari, prej një ndjesie të vërtetë të mëkatit të tij, dhe të kuptimit të mëshirës së Perëndisë në Krisht, kthehet tek Perëndia, me lëngatë dhe urrejtje për mëkatin e tij, me qëllimin e plotë dhe përpjekjen për një bindje të re.

Së bashku me pendimin, për shpëtim, ne duhet të kemi edhe besim vetëm tek Krishti dhe vepra e tij për shpëtimin tonë. Kjo është në fakt një prej temave qendrore të kësaj letre. Kapitulli i trembëdhjetë i kësaj letre njihet me të të drejtë si Kapitulli i Besimit. Pendimi i vërtetë gjithnjë të dërgon tek besimi i vërtetë shpëtues. Mëkatari kthehet nga mëkati tek Perëndia  i cili i ofron faljen nga mëkatet dhe jetën e re në Krishtin Jezus. Ja një përkufizim i mirë dhe i vlefshëm për tu mbajtur mend:

Besimi në Jezus Krisht është një hir shpëtues, përmes së cilit e marrim dhe mbështetemi vetëm në Atë për shpëtim, siç na është ofruar në ungjill.

Të vendosura së bashku pendimi dhe besimi formojnë shtresën bazë të themelit të besimit të Krishterë. Kjo shtresë korrespondon me doktrinën e shfajësimit përmes besimit. Jezus Krishti erdhi në këtë botë që të përmbushë për ne kërkesat e Ligjit të Perëndisë, që të vdesë për ne dhe në vendin tonë, një vdekje shpaguese për mëkatet tona. Për shkak të kësaj, besimtarët shpallen të shpaguar apo të shfajësuar përmes kësaj drejtësie të Krishtit që ne mund ta marrin vetëm përmes besimit, si instrumenti apo krahu që tërheq drejt mëkatarit Krishtin dhe drejtësinë e tij. Doktrina e Shfajësimit, si rrjedhim, është mentesha në të cilën varet dera e shpëtimit, dhe është kështu themeli i Krishterimit. Një keqkuptim sado i vogël i doktrinës së besimit, pendimit dhe shfajësimit është i rrezikshëm, sepse është një çarje në themel. Shfajësimi nga drejtësia e Krishtit është burimi i ujit të jetës. Hedhja e helmit të doktrinës së gabuar në këtë burim, bëhet mallkim e dënim për të gjithë ata që do të pinë prej saj.

Dyshja e grupit të dytë është pak më e vështirë për tu kuptuar: “e doktrinës së pagëzimeve dhe e vënies së duarve,” (6:2). Në Kishën e Hershme apostolike, pagëzimi dhe vënia e duarve ishin të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Vendosja e duarve simbolizonte ardhjen apo rënien e Frymës së Shenjtë, që kishte lidhje me fillimin dhe hyrjen në jetën e Krishterë, që nga ana e saj simbolizohej nga pagëzimi. Kjo është arsyeja përse autori i Hebrenjve i vendos ato së bashku. Vendosja e duarve gjithashtu simbolizonte edhe bekimin, shërimin, dhe veçanërisht shugurimin për në shërbesë të Krishterë. Të marra pra së bashku, pagëzimet dhe vëniet e duarve kanë të bëjnë me fuqizimin që vjen nga Perëndia për të jetuar jetën Kristiane. Kjo njihet ndryshe si doktrina e Shenjtërimit. Diçka të ngjashme gjejmë edhe tek Rom. 6:2-4, ku Pali mëson mbi pagëzimin si një stimul nxitës për një jetë të Perëndishme e të shenjtë. Një përkufizim mirë i shenjtërisë është ky:

Shenjtërimi është puna falas e hirit të Perëndisë përmes së cilës ne ripërtërihemi në tërësinë e njeriut sipas imazhit të Perëndisë, dhe aftësohemi gjithnjë e më shumë të vdesim ndaj mëkatit dhe të jetojmë në drejtësi.

Dyshja e grupit të tretë të doktrinave bazë, që liston autori janë “e ringjalljes së të vdekurve dhe e gjyqit të përjetshëm.” Dyshja e parë flet për shfajësimin e besimtarëve, dysha e dytë flet për shenjtërimin e besimtarëve, dhe është thjesht logjike që dyshja e tretë të flasë për lavdërimin e besimtarëve, destinacionin e tyre pas vdekjes.

Thelbësore për shpresën e Krishterë është ngjallja nga të vdekurit që i pret besimtarët pas varrit, kjo është shpresa e lavdisë. Të gjithë të vdekurit do të ngjallen në ditën e madhe të gjykimit; ata që janë në Krishtin do të priten me gëzim e kurorëzim, ndërsa ata që e kanë mohuar në këtë jetë do të jenë të dënuar përgjithnjë për mëkatet e tyre.

Kjo pra është një përmbledhje e shkurtër e bazave të besimit të Krishterë, që së bashku me doktrinën e Personit dhe Veprës së Krishtit, përbën minimumin e mundshëm të një kredoje, të një sistemi besimi që duhet jo vetëm thjesht besuar, por studiuar e përvetësuar. Ky është themeli që duhet të studiojmë e mbi të cilin duhet të ngrihemi. Doktrinat pra janë: Doktrina e Shfajësimit, e aktit të hirit të Perëndisë me anë të së cilës mëkatari deklarohet e falur përmes gjakut të Krishtit; Doktrina e Shfajësimit, procesi përmes së cilës besimtari rritet në shenjtëri; dhe së fundi Doktrina e Lavdërimit, shpresa e madhe e të gjithëve që i kanë fiksuar sytë tek Krishti dhe tek dita në të cilën ne do të transformoheni në lavdi dhe do të merremi në qytetin qiellor për të kaluar përjetësinë me Perëndinë.