09-Humbja e Shpëtimit

  • on 06/05/2015

09-Humbja e Shpëtimit

Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë, 13 por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: “Sot”, që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit. 14 Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit, 15 kur thuhet: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes”. 16 Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut? 17 Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s’qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë? 18 Dhe për cilët bëri be se nuk do të hynin në prehjen e tij, veç se për ata që qenë të pabindur? 19 Ne shohim se ata nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit. Heb. 3:12-19

Qëllimi pastoral i Letrës së Hebrenjve është ngulmimi deri në fund, në shpëtimin e dhënë nga Perëndia në Krishtin Jezus, ngulmin që duhet bërë në kontekstin e tundimeve dhe testimeve të shumta të jetës. Kështu, tema që përsëritet tek ky kapitull i tretë është “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes” (Heb. 3:15; 7-8). Rebelimi për të cilin bëhet fjalë është ajo që lexojmë tek Numrat 14 dhe Eksodi 17, kur Izraelitët refuzuan që ti besonin Perëndisë përmes testimeve të shkretëtirës. Qëllimi i këtyre testimeve ishte provimi i besimit të tyre në Perëndinë. Ato testime janë të ngjashme edhe testimet e kësaj epoke të të Krishterëve kudo nëpër botë, dhe që përsëri kanë për qëllim që të na zbulojnë ne cilësinë e besimit tonë, apo siç thotë populli shqiptar, që të ta tregojë “se sa na vlen lëkura.” Izraelitët, për shkak të pasigurisë së jetës, urisë, rreziqeve e lodhjes, dështuan që ti besonin Perëndisë përmes besimit në Fjalën e Tij që u qe dhënë përmes Moisiut si Mediatori i Besëlidhjes së Vjetër. Duke përdorur ato ngjarje si një shembull të dhënë për instruktimin tonë, autori i Hebrenjve i paralajmëron lexuesit e tij që të mos bien në të njëjtin mëkat të rebelimit, të provokimit dhe të mosbesimit, veçanërisht tani që ne si të krishterë kemi Krishtin, Zotin tonë të Ngjallur e të ngritur lart si zotëruesi sovran i tërë botës.

Mësimet e Mosbesimit

Tre mësime kryesore duhet të nxjerrim nga shembulli i Izraelitëve ë humbën në shkretëtirë. Së pari, një fillim i mirë nuk garanton një përfundim të mirë. Vargu 16 thotë “Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?” Ky grup njerëzish pat përjetuar fuqinë e krahut të Perëndisë, mrekullitë e shumta në favorin e tyre si edhe mallkimin e dënimin e madh që ra mbi Faronin dhe tërë Egjiptin. E megjithatë, i njëjti grup njerëzish u rebelua. Të njëjtën histori e gjejmë edhe në Kishën e Krishtit në përgjithësi në këto 2000 vitet e fundit, apo edhe në historitë personale të çdo besimtari.

Ne e fillojmë gjithnjë mirë dhe në mënyrë premtuese jetën tonë të besimit dhe udhëtimin tonë me Krishtin. Si besimtarë të rinj kemi provuar përjetime emocionale, shpirtërore, kemi parë gjëra të mrekullueshme që Perëndia ka bërë në ne dhe përmes nesh, por pas disa viteve ajo dashuria e parë vjen dhe ftohet. Pas disa vitesh të para të mrekullueshme besimi, shumë të krishterë janë po aq të ngurtë e të ftohtë në zemër sa edhe gurët e varrezave. Nëse i pyet për realitetin e tyre prezent shpirtëror, e devijojnë bisedën në përjetimet e kaluara, flasin për ditën se si bënë lutjen e shpëtimit, se si patën në të kaluarën përjetime emocionale dhe shpirtërore të veçanta, se si Perëndia iu është përgjigjur disa lutjeve specifike që kanë bërë, sikur duan të provojnë se mbështeten në përjetimet e kaluara dhe se për shkak të tyre, pavarësisht ftohtësisë së tyre si prej guri varri, pavarësisht rebelimit, mërmëritjeve, pakënaqësive e praktikisht një qëndrimi mosbesues ndaj Perëndisë, ata janë në besim dhe se nuk janë nën qortimin e dënimin e Perëndisë.

Por asnjeri prej të Krishterëve të sotëm nuk ka pasur ato përjetime si të Izraelitëve të kohës së Moisiut. Asnjëri prej nesh nuk ka parë me sytë e tij një det që të ndahet në dysh, apo goditje si ato të dhjeta që përjetuan Egjiptianët, apo manën në shkretëtirë, apo prezencën e Perëndisë në formën e resë apo të zjarrit që i drejtonte e i mbronte në shkretëtirë. Asnjëri prej nesh nuk ka përjetuar manifestime kaq spektakolare dhe të një magnitude kaq të madhe sa këta Izraelitë. E megjithatë, një fillim kaq i mirë nuk mundi që të zëvendësonte besimin e përditshëm në Zotin dhe ecjen e përditshme me të.

Kuptohet që për shumë ungjillorë, ky është një mësim që nuk gëlltitet kollaj. Ne besojmë në doktrinën biblike të sigurisë së shpëtimit. Bibla na thotë se të gjithë ata që i kanë besuar vërtetë Krishtit mund dhe duhet të kenë sigurinë e mjaftueshmërisë dhe e përsosmërisë së plotë të Krishtit si Shpëtimtari ynë, dhe si rrjedhim edhe të shpëtimit tonë. Jezusi tha “dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime” (Gjo. 10:28). Por ne nuk duhet të harrojmë se Juda ishte prezent kur Krishti tha këto fjalë, por sepse ai nuk kishte besim, ky premtim i Krishtit nuk ishte për të. Nëse ne duam që të kemi sigurinë e plotë të shpëtimit tonë, ne duhet të vazhdojmë në besimin në Perëndinë dhe në ungjillin e Tij. Besimi ynë duhet të ngulmojë në sprova. Nëse ne duhet që të bëjmë të sigurt thirrjen dhe zgjedhjen tonë (2 Pje. 1:10), ne duhet që të japin frytet që shpëtimi prodhon dhe kërkon.

Izraelitët ishin të sigurt në shpëtimin e tyre për aq kohë sa ata ecnin në bindje me dhe nën Perëndinë. E njëjta gjë vlen dhe për ne. Nëse vazhdojmë që të ecim në besim dhe bindje ndaj Krishtit, ne mund të jemi të sigurt për shpëtimin tonë.

Së dyti, mësojmë se sa e rrezikshme është një zemër e ngurtë përpara Perëndisë. Heb. 3:15 na paralajmëron “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes.” Kuptimi i fjalëve është i thjeshtë. E kundërta e një zemre të ngurtë është një zemër e butë dhe e ndjeshme dhe që penetrohet lehtë nga Fjala e Perëndisë, që transformohet lehtë prej instruktimeve të saj, që mallëngjehet e nxitet nga dashuria e Perëndisë, që preket e fitohet nga veprat madhështorë shpenguese të Perëndisë. Rreziku i një zemre të ngurtë është i madh, dhe këtë rrezik Krishti na e përshkruan e ilustron tek shëmbëlltyra e farës që bie në katër lloje të ndryshme toke (Mat. 13:4-19). Dhe ndoshta shembulli më i frikshëm në Bibël është ai i Faronit. Pavarësisht demonstrimeve madhështorë të fuqisë së Perëndisë, Faroni pati një zemër të ngurtë deri në pikën e shkatërrimit total të tij. Po kështu, po ata Izraelitë që ishin dëshmitarë pasojave të zemërgurësisë në rastin e Faronit, nuk e mësuan mësimin për veten e tyre apo përjetuan të njëjtin zemërgurësi dhe të njëjtin dënim nën dorën e Perëndisë.

Për këtë arsye një zemër e tillë quhet e ligë tek vargu 12 sepse i kthen kurrizin Perëndisë së gjallë. Tek vargu 17 ata që nuk besuan përshkruhen si ata që mëkatuan, dhe në vargun 18  thuhet se ishin të pabindur. Përkufizimi biblik është ky, mëkati është mosbindje, refuzimi praktik për të dëgjuar dhe bindur Fjalës së Perëndisë.

Parimi është se mosbesimi është origjina e çdo lloj mëkati. Shumë nga ata që e konsiderojnë veten të Krishterë, dhe që jetojnë në një formë rebelimi apo në ndonjë forme tjetër letargjie praktike dhe shpirtërore, kur i konfronton të thonë se besojnë, edhe pse jetojnë në mëkat. Por mëkati është fryti i mosbesimit që fshihet dhe dominon mendjet dhe zemrat e tyre. Nëse diku ka mëkat, aty ka mosbesim. Mëkati nuk është problemi i vërtetë, por mosbesimi. Mëkati është simptoma, sëmundja është mosbesimi. Mosbesimi është rrënja që ushqen të tërë pemën e mëkatit dhe frytet e saj.

Nga ana tjetër, besimi në Perëndinë është çfarë na bën ne që ti bindemi Atij. Noeu është një shembull i mirë. Ai i besoi Perëndisë dhe iu bind duke ndërtuar një anije në mes të kontinentit. Izraelitët nga ana tjetër nuk e njohën Perëndinë si Noeu, nuk i besuan premtimeve dhe kërcënimeve të Tij, dhe si rrjedhim u rebeluan në shkretëtirë. Prezenca e besimit apo e mosbesimit është në thelb të çdo çështje shpirtërore.

Kuptohet që mungesa e provave për ekzistencën e Perëndisë nuk është arsyeja që njerëzit nuk besojnë. Izraelitët nuk kishin asnjë lloj pretendimi se nuk kishin prova të mjaftueshme apo të pakontestueshme për ekzistencën e Perëndisë apo që Perëndia pat folur dhe qartë madje. Sepse zemrat e tyre ishin të ngurtësuara, gjithë ajo mori provash nuk prodhoi dot as besim e as bindje. Edhe sot, njerëzit nuk e mohojnë Perëndinë dhe Krishtin për arsye ideologjike apo filozofike, por për arsye morale. Njeriu ka një dashuri më të madhe për mëkatin, dhe kjo dashuri kërkon dhe shkakton një zemërgurësi ndaj Fjalës. Argumentet filozofike gjenden dhe ofrohen më vonë. Këtë kërkon autori i kësaj letre që ne si të Krishterë të mos bëjmë.

Së treti, duhet të vëmë re realitetin e zemërimit të Perëndisë ndaj mëkatit dhe mëkatarit. Tek vargu 17 shikojmë se mëkati i Izraelitëve provokoi Perëndinë. Tek vargu 18 lexojmë se për shkak të qëndrimit të tyre, Perëndia u betua se nuk do ti lejonte që të futeshin në prehjen e tokës së premtuar.

Shumë sot e konsiderojnë zemërimin një përgjigje të papërshtatshme për një Perëndi të dashurisë ndaj njeriut dhe mëkatit të tij. Perëndia duhet të jetë më shumë si ne, mendon njeriu modern, ai nuk duhet ta marrë mëkatin seriozisht. Por, ndryshe nga ne, Perëndia është përsosmërish i shenjtë dhe si rrjedhim është i detyruar që urrejtja e tij të ndizet kundra nesh. Natyra e vetë Perëndisë e bën jë reagim të tillë të detyrueshëm. Perëndia është një zjarr konsumues (12:29).

Shumë sot gjithashtu thonë se Perëndia dënon mëkatin pro jo mëkatarin, dhe se ai është i zemëruar me mëkatin dhe jo mëkatarin. Por evidenca biblike na zbulon të kundërtën. Nuk ishte mosbesimi që vdiq në shkretëtirë por mosbesuesit. Nuk ishin kockat e mëkateve ato që u dogjën në shkretëtirë, por kockat e mëkatarëve që u dergjën nga do qa ata shkuan. Në ferr, nuk digjen mëkatet, por vetë mëkatarët e pa-penduar. Sipas një llogarie, nga 603,550 (Num. 1:46) burra që dolën nga Egjipti, plus një numër të përshtatshëm grash dhe fëmijësh, i bie që 90 Izraelitë vdiqën çdo ditë për dyzetë vjet në shkretëtirë, derisa një gjeneratë e tërë u shua plotësisht. Tërë këto vdekje me siguri u kujtuan Izraelitëve mësimin që ne shpesh harrojmë, se “paga e mëkatit është vdekja” (Rom. 6:23).

Kjo për disa lexues mund të ngrejë pyetjen: “A përfunduan të tërë këta Izraelitë në ferr?” Përgjigja e shkurtë është se nuk e dimë dhe as nuk mund ta thotë njeri. Por gjithashtu dimë se kushdo që vazhdon në mosbesimin e një zemre të ngurtë deri në momentin e fundit të jetës shkon me siguri në dënimin e përjetshëm në ferr. Nga ana tjetër, premtimi i perëndisë është se kushdo që kthehet tek Ai në pendim e besim dhe zell për një bindje të re do të shpëtohet. Të gjithë ata Izraelitë që vazhduan në zemër-gurësin e tyre me siguria që kanë përfunduar ne ferr. Por nga ana tjetër nuk duhet që të harrojmë se Perëndia nuk i la ata pa mundësinë për tu penduar e besuar. Ai i dha atyre shërbesën e Tabernakullit, të Moisiut dhe Aaronit që ishin predikimi i ungjillit të Krishtit që do të vinte e që do të ishte qengji i sakrificës për mëkatet e tyre. Dy herë në ditë predikimi i fjalës së Perëndisë përmes leximit të Ligjit dhe ritualeve në Tabernakull i shpaloste atyre premtimin e Perëndisë dhe u ofronte atyre shpëtimin. Ky ishte hiri dhe dashuria e Perëndisë ndaj tyre, dhe të gjithë ata që u kapën pas Perëndisë përmes besimit dhe pendimit u shpëtuan nga ferri edhe pse nuk u lejuan sikundër edhe Moisiu që të futeshin në Tokën e Premtuar.

Mënyra e Luftimit

Çfarë u tha pak më lart duhet të na kujtojë jo vetëm mundësinë e shpëtimit që Perëndia iu dha Izraelitëve në shkretëtirë, por edhe mënyrën e luftimit të mosbesimit në ne sot. Këtë e gjejmë në inkurajimin e dyfishtë. Tek vargu 12 ai thotë “Vini re,” apo bëni kujdes, hapni sytë. Tek vargu 13 lexojmë “nxitni njëri-tjetrin çdo ditë.”

Ky është ilaçi kundra mosbesimit edhe për ne sot. Ne duhet që qëndrojmë roje zemrave tona dhe këtë ta bëjmë në kontekstin e bashkësisë së Krishterë, e Kishës lokale duke i inkurajuar të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë dhe duke marrë inkurajimin e të tjerëve që të bëjmë kujdes me zemrat tona. Nga natyra, ne jemi të pirur drejt mëkatit dhe kemi nevojë për çdo lloj ndihme që të mund të na ndihmojë që ti besojmë Perëndinë dhe ti ndryhemi Atij. Nëse besimi ynë nuk inkurajohet vazhdimisht ai bie në gjumë; nëse nuk ngrohet nxitja e përbashkët ai ftohet deri në vdekje; nëse nuk ngjallet ajo mpihet. Inkurajimi reciprok është ilaçi më i mirë kundra zemërngurtësisë dhe mosbesimit.

Termi që përdor autori tek vargu 13 për nxitje në Greqishten e vjetër është parakaleo. Prefiksi para përkthehet ti afrohesh nga anash, dhe termi kaleo është të thërrasësh. Për mendjen Biblike nxitja është si dy vrapues të së njëjtës skuadër, që vrapojnë së bashku pranë njëri-tjetrit dhe që i flasin njeri-tjetrit për ta mbaruar garën deri në fund.

Jeta Kristiane nuk është një ndërmarrje individuale por në ekip. Nëse besimtarët nuk ndajnë me njëri-tjetrin sfidat me të cilën ballafaqohen, nëse ne nuk hapemi ndaj të tjerëve dhe as nuk pranojmë që të na hapen të tjerët, rezultati do të jetë mashtrimi i mosbesimit dhe i mëkatit. Për aq kohë thuhet “sot,” pra jemi në këtë epokë testimesh dhe rreziqesh, si edhe Izraelitët, ne duhet që të rrimë vigjilentë e syhapur duke inkurajuar njëkohësisht të tjerët, çdo ditë, në gjërat e besimit.
Vargu 12 flet për mashtrimin e mëkatit. Në Bibël kjo shprehje shpesh herë i referohet mësuesve të rremë. Pali na paralajmëron për ta kur thotë “sepse ata nuk i shërbejnë Zotit tonë Jezu Krisht, por barkut të tyre, dhe me fjalë të ëmbla dhe të bukura gënjejnë zemrat e të thjeshtit?” (Rom. 16:18). Po kështu i referohet edhe filozofive të botës (Kol. 2:8), madje edhe këshilltarëve të gabuar (Fja.U. 12:5). Por mashtrimi i mëkatit nuk ka të bëjë vetëm me çështjet e mendjes por edhe të zemrës e ndjenjave. Zemrat tona janë mashtruese dhe nuk mund ti besohet. “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jer. 17:9). Tek Efesianëve 4:22 Pali thotë se natyra jonë njerëzore është e korruptuar e që prishet përmes epsheve mashtruese. Pra Bibla thotë, se ne nuk mund sa edhe ti besojmë zemrës tonë. Këtyre gjërave i shtohet edhe kërcënimi i një personi tepër të fuqishëm për ne njerëzit, i mashtruesit të vjetër, Djallit. Bibla thotë se Djalli, që i paraqitet shumë si Engjëlli i Dritës (2 Kor. 11:14), është mashtruesi më i madh që gënjen tërë njerëzimin drejt mëkatit dhe mosbesimit siç edhe bëri me Evën në Kopshtin e Edenit.

Të gjitha këto së bashku na e bëjnë mëkatin shumë tërheqës. Mëkati reklamon kënaqësi e lumturi por nuk ta jep pasi as nuk është në gjendje që ta japë. Problemi është se zemrat tona dëshirojnë që të mashtrohen. Kjo tendencë, e kombinuar me natyrën mashtruese të mëkatit në vetvete, shpjegon nevojën tonë për ti qëndruar roje zemrave tona si dhe njëri-tjetrit, madje që në momentin e parë të tundimit. E vërteta është se ne kemi nevojë që të ruajmë zemrat tona dhe kemi nevojë për inkurajim të vazhdueshëm për ta bërë këtë për shkak të botës që na rrethon, dhe mëkatit që penetron në të gjitha marrëdhëniet tona në familje, në punë apo në Kishë. Si rrjedhim, le të ruajmë zemrat tona dhe le të inkurajojmë njëri-tjetrin, që të mos biem pre e mashtrimit të mëkatit që do të na çojë në ngurtësimin e zemrave tona ndaj Perëndisë.

Në këtë kontekst, merr akoma më shumë kuptim urtësia e Perëndisë kur dha studimin e Biblës, lutjen, agjërimin, miqësinë e Krishterë, sakramentet e Pagëzimit dhe të Darkës së Zotit, shërbesën e pleqve dhe pastorëve të Kishës si një mbrojtje kundra mashtrimit të mëkatit. Në prezencën e këtyre bekimeve argumentet dhe ftesat e mëkatit e humbin forcën e tyre, ndërsa ne forcohemi dhe forcojmë njeri-tjetrin në besim dhe bindje. Qëllimi ynë pra është ngulmimi deri në fund që të futemi në prehjen e Perëndisë, dhe strategjia jonë është vigjilenca dhe inkurajimi i përbashkët. Kjo është një kauzë që e meriton çdo lloj bezdisje, investimi apo edhe sakrifice, pasi përfitimi është jeta e përjetshme. Për ketë le të futemi në një besëlidhje vëllazërore siç bënë burrat e perëndishëm të brezit të Mbretit Asa. Lexojmë tek 2 Kronikasve 15:12 se “Pastaj u zotuan me një besëlidhje të kërkojnë Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirtin e tyre.”

Mesazhi i Ungjillit

Pamë që një fillim i mirë nuk është i mjaftueshëm dhe as garanci për një fund të mirë. Ne duhet që të ngulmojmë e durojmë deri në fund të gjitha sprovat dhe sfidat e jetës, duke u mbajtur fort pas Krishtit për shpëtimin tonë. Autori e thotë këtë përsëri në përmbledhjen që e gjejmë tek vargu 14 “Sepse ne jemi bërë pjesëtarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit.” Është pikërisht ngulmimi dhe durimi deri në fund që provon dhe demonstron faktin që ne me të vërtetë jemi bashkuar me Krishtin Zotin tonë, që me të vërtetë jemi të shpëtuar.

Por le të vëmë re se çfarë duhet të mbajmë apo në çfarë duhet të ngulmojmë deri në fund: “fillimin e besimit tonë.” Ne nuk duhet që të mbajmë deri në fund besimin në meritat, forcën apo drejtësinë tonë, por në ato të Krishtit. Besimi ynë duhet të jetë në fuqinë e shpëtimit që është kë Zotit tonë. Fillimi i besimit tonë është mesazhi i ungjillit që dëgjuam për herë të parë dhe që na shpëtoi që në atë herë të parë. Ungjilli që dëgjuam për herë të pare ishte mesazhi, lajmi i mirë jo vetëm i kryqëzimit e i ngjalljes së Krishtit, por se Perëndia i pat bërë këto gjëra për ne. Perëndia bëri për ne çfarë ne nuk mund të bënim për veten tonë. Biri erdhi tek ne në Fuqinë e Frymës për të na sjellë ne tek Perëndia po në fuqinë e Frymës. Kështu filloi besimi ynë. Ky ishte mesazhi i fillimit.

Ky është edhe mesazhi në të cilin ne duhet të vazhdojmë. Ungjilli nuk është një mesazh që ne duhet që ta dëgjojmë vetëm një herë, në fillim të jetës së Krishterë. Ungjilli që në na u shpall e që na shpëtoi, që na solli tek Krishti dhe që na bëri të Krishterë, i njëjti ungjill edhe na ruan edhe na shenjtëron. Prandaj, me dashuri dhe zell, le ta inkurajojmë njëri-tjetrin me mesazhin e ungjillit, me qëllim që asnjëri prej nesh të mos bie pre e mashtrimit të mëkatit. Pali na inkurajon e urdhëron “Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të” (Kol. 2:6), përmes besimit në Birin siç na u bë i njohur në mesazhin e Ungjillit. Ungjilli nuk është ABC-ja e jetës Kristiane por i tërë alfabeti i saj, nga A-ja e deri tek Z-ja. Ungjilli nuk është minimumi i kërkuar i doktrinës që duhet të dijë e besojë njeriu që të hyjë ne Mbretërinë e Perëndisë, por edhe rruga që ne duhet të ecim përpara dhe të rritemi në këtë mbretëri. Ne nuk shpëtohemi nga ungjilli e shenjtërohemi nga meritat tona, Ungjilli vazhdon të jetë mënyra dhe mesazhi i rritjes tonë (Gal. 3:1-3), si dhe mënyra se si ne rifuqizohemi e rifreskohemi në ecjen tonë (Kol. 1:6). Ungjilli i fillimit të besimit tonë është zgjidhja e çdo problemi, çelësi i çdo dere, fuqia për të kaluar cdo barrierë, si dhe të gjitha testet e ditës së sotme të jetës Kristiane (Rom. 1:16-17). Prandaj autori na urdhëron “Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,” (Heb. 3:12).