• on 06/05/2008

08. Shenjtëria e Perëndisë – Atributet e Perendise

“Kush nuk do të të druajë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd? Sepse vetëm ti je i Shenjtë” (Zbul. 15:4). Vetëm Ai është pafundësisht, pandryshueshmërisht dhe mëvetësisht i shenjtë. Në Shkrim, ai përshkruhet shpesh si “I Shenjti”. Ai është i shenjtë sepse e tërë përsosmëria morale gjendet tek ai. Ai është Pastërtia Absolute, e pacënuar edhe nga hija e mëkatit. “Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë” (1 Gjoni 1:5). Shenjtëria është vetë përsosmëria e natyrës Hyjnore. Perëndia i madh është “i lavdishëm në shenjtëri” (Eksodi 15:11). Prandaj lexojmë: “Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë” (Habakuku 1:13). Ashtu si fuqia e Perëndisë është e kundërta e dobësisë së lindur të krijesës dhe urtësia e tij ndryshon plotësisht nga mungesa e njohjes apo marrëzia, ashtu edhe shenjtëria e tij është e kundërta e çdo të mete apo njolle. Prej së lashti, Perëndia caktoi këngëtarë në Izrael, që ata të lavdëronin “bukurinë e shenjtërisë” (2 Kronikave 20:21). “Fuqia është dora ose krahu i Perëndisë, gjithëdijenia është syri i tij, mëshira është zemra e tij, përjetësia është kohëzgjatja e tij, por shenjtëria është bukuria e tij” (Stivën Çarnok). Kjo është çfarë e bën më shumë të dashur ndaj atyre që janë çliruar nga pushteti i mëkatit.

Theksimi kryesor vihet mbi këtë përsosje të Perëndisë:

“Perëndia më shpesh përshkruhet si i Shenjtë sesa i Plotfuqishëm dhe paraqitet më shumë nga ky aspekt i dinjitetit të tij se çdo aspekt tjetër. Ky aspekt është më i fiksuar si një epitet ndaj emrit të tij se çdo aspekt tjetër. Nuk e gjejmë asnjëherë i shprehur “emri i Tij i plotfuqishëm” apo “emri i Tij i ditur”, por emri i Tij i madh dhe kryesisht: emri i Tij i shenjtë. Ky është titulli më i madh i nderit , në të cilin shfaqet madhështia dhe nderimi i emrit të Tij” (Stivën Çarnok).

     Kjo përsosje, si asnjë tjetër, festohet solemnisht para Fronit të Qiellit, ndërsa serafimët thërrasin: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive” (Isa. 6:3). Vetë Perëndia e veçon këtë përsosje: “jam betuar një herë për shenjtërinë time” (Ps. 89:35). Perëndia betohet për “shenjtërinë” e tij, sepse ajo është shprehja më e plotë e vetvetes. Prandaj ne nxitemi “I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij” (Ps. 30:4). “Ky është një atribut i jashtëzakonshëm, që përshkon të gjitha të tjerat dhe i bën të shkëlqejnë ato. Është një atribut mbi atribute (J. Houe, 1670). Kështu ne lexojmë për “bukurinë e Zotit” (Ps. 27:4) që nuk është gjë tjetër veçse “bukuria e shenjtërisë” (Ps. 110:3).

Duke qenë se është përsosmëria më e lartë e Tij, shenjtëria është lavdia e të gjitha atributeve të tjera. Si lavdia e Hyjnisë, ajo është edhe lavdia e çdo përsosjeje të Hyjnisë. Ashtu si fuqia e Tij është fuqia e tyre, ashtu edhe shenjtëria e Tij është bukuria e tyre. Ashtu si do të ishin të dobëta pa mbështetjen e plotfuqishmërisë, pa shenjtërinë për t’i zbukuruar, të gjitha do të ishin të shëmtuara. Nëse ajo do të cënohej, të gjitha atributet e tjera do të humbnin nderin. Ashtu si dielli humbet për një çast dritën, ajo do të humbiste ngrohtësinë e fuqinë e saj, aftësinë e vet ripërtëritëse dhe gjallëruese. Ashtu si sinqeriteti është shkëlqimi i çdo hiri në një të krishterë, po  ashtu është pastërtia, shkëlqimi i çdo atributi të Hyjnisë. Drejtësia e tij është një  drejtësi e shenjtë, urtësia e tij është një urtësi e shenjtë, krahu i fuqisë së tij është një  “krah i shenjtë” (Ps. 98:1). E vërteta ose premtimi i Tij është një “premtim i shenjtë”  (Ps. 105:42). Emri i tij, që i përmbledh të gjitha atributet e tij “është i shenjtë” (Ps. 103:1) Stivën Çarnok.

     Shenjtëria e Perëndisë shfaqet në veprat e tij. “Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij” (Ps. 145:17). Asgjë tjetër përveç asaj që është e përsosur nuk mund të burojë prej tij. Shenjtëria është përmbledhja e të gjitha veprimeve të tij. Në fillim, ai e shpalli gjithçka që kishte krijuar “shumë të mirë” (Zan. 1:31), që nuk do ta kishte bërë, po të kishte patur ndonjë gjë të papërsosur apo jo të shenjtë në ta. Njeriu u krijua i “drejtë” (Predikuesi 7:29), në shëmbëllimin e Krijuesit të tij. Engjëjt që u rrëzuan u krijuan të shenjtë, sepse na thuhet se “që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë” (Juda 6). Për Satanin është shkruar “Ti ishe i përsosur në rrugët e tua qysh nga dita që u krijove, deri sa nuk u zbulua te ti çoroditja” (Ezekiel 28L15).

     Shenjtëria e Perëndisë shfaqet në ligjin e tij. Ky ligj e ndalon mëkatin në të gjitha format, në ato më të stërholluarat, ashtu edhe në ato më të dukshmet, në synimin e mendjes, ashtu edhe në ndotjen e trupit, në dëshirat e fshehta dhe në veprimet e hapura. Prandaj ne lexojmë: “Ligji është i shenjtë, dhe urdhërimi i shenjtë, i drejtë dhe i mirë” (Rom. 7:12). Po, “Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë. Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta” (Ps. 19: 8,9).

     Shenjtëria e Perëndisë shfaqet në kryq. Shlyerja zbulon mrekullisht dhe solemnisht shenjtërinë e pafund të Perëndisë dhe urrejtjen e mëkatit. Sa i urryer duhet të jetë mëkati për Perëndinë, që ai ta ndëshkojë aq rëndë, duke e vënë mbi Birin e tij!

As i gjithë gjykimi që është apo do të derdhet mbi botën e ligë, as flakët e ndërgjegjes së një mëkatari, as dënimi i pakthyeshëm i shpallur ndaj  demonëve rebelë e as rënkimet e krijesave të mallkuara nuk e shfaqin urrejtjen e Perëndisë për mëkatin, sa zemërimi i Perëndisë që ra mbi Birin e tij. Asnjëherë nuk është dukur më e bukur dhe e këndshme shenjtëria Hyjnore sesa atëherë kur fytyra e Shpëtimtarit tonë u prish në mes të rënkimeve të vdekjes. Këtë Ai e pranon Vetë te Psalmi 22. Kur Perëndia e largoi vështrimin prej tij dhe i nguli në zemër thikën e mprehtë, duke bërë që ai të nxirrte atë thirrjen e tmerrshme: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”, Ai e adhuron këtë përsosmëri: “Ti je i shenjtë” (v. 3). Stivën Çarnok

     Meqenëse Perëndia është i shenjtë, ai e urren çdo mëkat. Ai do çdo gjë që përputhet me ligjin e tij dhe urren çdo gjë që bie në kundërshtim me të. Fjala e tij shpall qartë “Zoti e neverit njeriun e çoroditur” (Fj. Urta 3:32). Dhe përsëri “Mendimet e këqija janë të neveritshme për Zotin” (Fj. Urta 15:26). Si rrjedhim, ai duhet ta ndëshkojë patjetër mëkatin. Mëkati nuk mund të ekzistojë pa kërkuar ndëshkimin e tij, ashtu si dhe nuk mund të ekzistojë pa kërkuar edhe urrejtjen e tij. Perëndia shpesh i fal mëkatarët, por nuk e fal kurrë mëkatin dhe mëkati falet vetëm kur një Person Tjetër mban ndëshkimin e tij, pasi “pa derdhur gjak nuk ka ndjesë” (Heb. 9:22). Prandaj na thuhet: “Zoti hakmerret me kundërshtarët e tij dhe e ruan zemërimin për armiqtë e tij” (Nahum 1:2). Vetëm për një mëkat, Perëndia i dëboi prindërit tanë të parë nga Edeni. Për një mëkat, tërë pasardhësit e Hamit ranë nën mallkimin që vazhdon edhe sot (Zan. 9:21). Për një mëkat, Moisiu u dëbua nga Kanaani, shërbëtori i Eliseut u godit nga lebrosa, ndërsa Ananaia dhe Safira u hoqën nga mesi.

     Shenjtëria e Perëndisë provon frymëzimin e tij të shkrimeve. Të parilindurit nuk besojnë me të vërtetë në shenjtërinë e Perëndisë. Konceptimi që ata kanë për karakterin e tij është i njëanshëm. Ata shpresojnë fort se mëshira e tij do të tejkalojë gjithçka tjetër. “ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty” (Ps. 50:21) është padia e Perëndisë kundër tyre. Ata mendojnë vetëm për një “perëndi” të modeluar sipas zemrave të tyre të liga. Ja vazhdimësia e tyre në mes të marrëzisë. E tillë është shenjtëria që i atribuohet natyrës dhe karakterit hyjnor në Shkrimet, saqë shfaq qartë origjinën e vet të mbinatyrshme. Karakteri që u atribuohet “perëndive” të lashtësisë dhe bashkëkohore është krejt e kundërta e pastërtisë së papërlyer të Perëndisë së vërtetë. Një Perëndi aq i shenjtë, sa nuk mund të përshkruhet, që i neverit jashtë mase të gjitha mëkatet, nuk është sajuar nga pasardhësit e rënë të Adamit! Kur i paraqet njeriut dikë që është pafundësisht dhe pandryshueshmërisht i shenjtë, nuk ka gjë tjetër që ta shfaqë më qartë prishjen e tmerrshme të zemrës njerëzore dhe armiqësinë e tij ndaj Perëndisë së gjallë. Ideja që Ai ka për mëkatin është praktikisht e kufizuar ndaj asaj që bota e quan “krim”. Çdo gjë që nuk e arrin këtë, justifikohet si “difekt”, “gabim” apo “dobësi” etj. Dhe madje, edhe kur mëkati pranohet, bëhen justifikime ndaj tij.

     “Perëndia” që “do” shumica e të krishterëve të shpallur, shihet si një i moshuar tolerues, që vetë nuk e pëlqen marrëzinë, por u shkel syrin butësisht “pamaturive” të rinisë. Por Fjala thotë: “ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi” (Ps. 5:5). Dhe përsëri, “një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit” (Ps. 7:11). Por njerëzit nuk pranojnë që të besojnë në këtë Perëndi dhe kërcëllijnë dhëmbët kur urrejtja e tij i tërheq besnikërisht vëmendjen. Jo, njeriu mëkatar nuk kishte të ngjarë që të sajonte një Perëndi të shenjtë, sesa të krijonte Liqenin e zjarrtë, ku do të vuajë përjetësisht.

     Meqenëse Perëndia është i shenjtë, pranimi i tij në bazë të veprimeve të krijesës është krejt i pamundur. Një krijesë e rënë mund të krijojë më shpejt një botë sesa të marrë miratimin e Pastërtisë së pafund. A mund të banojë errësira me dritën? A mund të kënaqet i Papërlyeri në “rreckat e pista” (Isa. 64:6)? Më e mira që arrin një mëkatar ndotet. Një pemë e kalbur nuk mund të japë fryta të mira. Perëndia do të mohonte veten, do të përgojonte përsosmëritë e tij, nëse do të konsideronte si të drejtë dhe të shenjtë atë që nuk është e tillë nga natyra dhe asgjë nuk është e tillë, nëse ka dhe një njollë të vetme, në kundërshtim me natyrën e Perëndisë. Por i bekuar qoftë emri i tij, që çfarë shenjtëria e Tij kërkoi, hiri e siguroi në Zotin tonë Jezu Krisht. Çdo mëkatar i varfër që është strehuar tek ai, është i “pranuar në të Dashurin” (Efes. 1:6). Haleluja!

     Meqenëse Perëndia është i shenjtë, ne duhet t’i afrohemi me një nderim të lartë. “Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë” (Ps. 89:7). Pastaj “Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë” (Ps. 99:5). Po, “përpara stolit të këmbëve të Tij”, në pozicionin më të ulët të përuljes, bini përmbys para tij. Kur Moisiu afrohej në ferrishten e ndezur, Perëndia tha: “hiq sandalet nga këmbët” (Eks. 3:5). Atij duhet t’i shërbesh “me frikë” (Ps. 2:11). Ai kërkonte nga Izraeli: “Unë do të jem shenjtëruar nga ata që më afrohen mua dhe do të jem përlavdëruar përpara tërë popullit” (Lev. 10:3). Sa më shumë që zemrat tona mahniten nga shenjtëria e tij e papërshkrueshme, aq më shumë do të pranohemi në praninë e tij.

     Meqenëse Perëndia është i shenjtë, ne duhet të dëshirojmë që të konformohemi pas tij. Ai ka urdhëruar: “Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë” (1 Pjet. 1:16). Ne nuk duhet të jemi të plotfuqishëm apo të gjithëdijshëm si Perëndia, por duhet të jemi të shenjtë dhe “në gjithë sjelljen tuaj” (1 Pjet. 1:15).

Kjo është mënyra kryesore sesi e nderojmë Perëndinë. Ne nuk e lavdërojmë Perëndinë me një admirim të lartë, ose me shprehje të rrjedhshme, apo me shërbesa pompoze, por kur dëshirojmë të njihemi me Të, me shpirtra të panjollosur dhe të jetojmë për të, duke jetuar si Ai. Stivën Çarnok

Atëherë, meqenëse Perëndia është i Vetmi Burim i shenjtërisë, le të kërkojmë me zell shenjtërinë prej tij, le të lutemi çdo ditë që të na “shenjtërojë tërësisht; dhe gjithë fryma jonë, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Thes. 5:23).