• on 06/05/2015

07-Apostulli i Madh

Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin, 2 i cili është besnik ndaj atij që e bëri, ashtu si qe edhe Moisiu në tërë shtëpinë e tij. 3 Sepse Jezusi është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, meqenëse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se shtëpia. 4 sepse çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia. 5 Dhe Moisiu qe me të vërtetë besnik në shtëpinë e Perëndisë si shërbëtor, për të dëshmuar për të gjitha gjërat që duheshin thënë, 6 por Krishti, si bir, është mbi shtëpinë e tij dhe shtëpia e vet jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës. Heb 3:1-6

Letra Drejtuar Hebrenjve u shkrua që të inkurajonte të Krishterët nën persekutimet dhe presionet e shumta të kësaj bote, që të qëndronin fort në besimin e tyre në Jezus Krishtin. Heb 3:1-6 fillon me nxitjen që ne ti fiksojmë sytë tek Krishti dhe mbaron me inkurajimin që të mbahemi pas tij me kurajë dhe shpresë. Lidhja me kapitullin e kaluar është ky: Meqë Jezusi është ai që mundi vdekjen , djallin dhe mëkatin, atëherë “vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit tonë, Krishtin Jezus.” Autori i quan lexuesit e tij “vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore,” dhe që si marrës të bekimeve të kryqit të Krishtit, janë gjithashtu të obliguar që të jetojnë për të.

Krishti më i madh se Moisiu

Arsyeja e inkurajimit për këtë pasazh, si edhe për të gjithë letrën, bazohet në faktin që Krishti dhe administrimi që ai i bën hirit të Perëndisë dhe Besëlidhjes së Tij është më i mirë se sa administruesit e besëlidhjes në Dhiatën e vjetër, si për shembull Moisiu. Vargu 1 flet për Krishtin si “apostulli dhe kryeprifti i rrëfimit tonë.” apostulli është një person i dërguar nga Perëndia për të folur dhe për të përfaqësuar Perëndinë tek njeriu. Prifti është një person i dërguar nga Perëndia për të folur dhe për të përfaqësuar njeriun tek Perëndia për ofrimit të sakrificave të gjakshme. Moisiu ishte personi i vetëm në Dhiatën e vjetër që mbante të dyja këto funksione, dhe që si i tillë, portretizonte Krishtin që do të vinte, Mediatorin e vërtetë dhe të madh ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Kështu, ndërsa kapitulli i parë dhe i dytë theksuan dhe provuar superioritetin e Krishtit mbi engjëjt, duke filluar me këtë varg, në këtë kapitull e në vazhdim do të lexojmë për superioritetin e Krishtit mbi Moisiun dhe administrimin e hirit sipas besëlidhjes së vjetër.

Autori thotë për Krishtin se “është besnik ndaj atij që e bëri, ashtu si qe edhe Moisiu në shtëpinë e Tij.” Lavdërimi më i madh që mund ti jepet një shërbëtori të shtëpisë së Perëndisë është ai është besnik. Por autori nuk ka për qëllim që ta krahasojë Jezusin me Moisiun dhe të thotë se janë shërbëtorë të të njëjtit kalibër, siç e prezantojnë sot media kudo nëpër botë, kur flasin për Judaizmin, Krishterimin dhe Islamin si religjione të barabarta dhe themeluesit e tyre si profetë të të njëjtit rëndësie dhe vërtetësie. Tek vargu 3, Jezusit na jepet si superior, sepse thuhet se “Jezusi është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, meqenëse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se shtëpia.” Mesazhi është i qartë, të Krishterët Hebrenj, nuk duhet të largohen nga Besëlidhja e Re në Krishtin për tu kthyer tek besëlidhja e vjetër e Judaizmit. Jezusi është superior madje edhe ndaj heroit më të madh të Besëlidhjes së Vjetër, dhe si rrjedhim, edhe administrimi i bekimeve të Perëndisë nën Krishtin është më superior se sa administrimi i bekimeve nën Moisiun.

Ky pasazh është interesant sepse na jep edhe perspektivën e Dhiatës së Re ndaj shërbesës së Moisiut, në fakt na ndihmon se si duhet ta interpretojmë tërë Dhiatën e Vjetër. Moisiu ishte me të vërtetë një shërbëtor besnik i Perëndisë, por Krishti është Biri i shtëpisë së Perëndisë, dhe trashëgimtar i saj, personi për të cilin ndërtohet kjo shtëpi dhe në fakt edhe personi që e ndërton këtë shtëpi. Kjo do të thotë se shërbesa e Moisiut nuk ishte në konflikt me shërbesën e Krishtit, dhe se puna e duarve të tija ishte pjesë e punës së Krishtit. Vargu 5 thotë se kjo ishte veçanërisht e vërtetë për detyrën e Moisiut si profet, sepse ai “qe dëshmi për të gjitha gjërat që duheshin thënë,” për Krishtin, personi dhe veprën e Tij, kohën dhe Kishën e Tij.

Kjo është arsyeja e konfliktit të Jezusit me Farisenjtë e kohës së tij. Farisenjtë e akuzonin atë se shkelte ligjin e Moisiut duke shëruar ditën e Sabatit. Por Moisiu, dhënësi i ligjit, ishte shërbëtori i Krishtit, dhe ligji ishte ligji i Krishtit. Aq më tepër që Jezusi ishte edhe përmbushja e igjit si dhe mësuesi i vërtetë i saj. Kjo është çfarë Jezusi po bënte në Predikimin në Mal (Matt 5:17). Pra Jezusi thotë se Moisiu e pat profetizuar personi dhe shërbesën e Tij, dhe madje i pat instruktuar dhe drejtuar njerëzit ër tek Krishti. Tek Gjoni 5 Jezusi u tha Farisenjve (Gjoni 5:45-46).

Moisiu ishte një shërbëtor-ndërtues në projektin e ndërtimit të shtëpisë të Birit dhe trashëgimtarit të Perëndisë. Cdo gjë në administrimin e Besëlidhjes së Vjetër nën Moisiun të drejtonte përpara për tek Krishti. Për shembull: Tabernakulli fliste për Perëndinë që jetonte në mes të njerëzve. Kjo është çfarë Krishti bëri si Emanueli-Perëndia me ne. Madje Apostulli Gjoni shkroi se (Gjoni 1:14). Viti i jubilesë në të cilin skllevërit liroheshin dhe toka i kthehej pronarëve të parë fliste për ditën e madhe të shpengimit që do të vinte në Krisht. Sakrifica e kafshëve fliste për verën e shlyerjes dhe shpengimit që Krishti do të realizonte në kryq. Prandaj dhe autori i letrës thotë se ligji i Moisiut, ritualet e Dhiatës së Vjetër ishin “hija e të mirave që kishin për të ardhur, dhe jo shëmbëllimi i vetë gjërave,” (10:1). Kur Moisiu solli manën nga qielli dhe bëri që uji të burojë nga shkëmbi, në fakt ata që hëngrën dhe pinë ato, “pinë nga Shkëmbi shpirtëror që i ndiqte ata, dhe ai Shkëmb ishte Krishti” (1 Kor. 10:4). Jezusi tha “Gjo 5:32-35.” Më vonë, kur ndodhi Shpërfytyrimi i Jezusit në lavdi në mal, përpara syve të dishepujve, Moisiu dhe Elija ishin atje, dhe diskutonin me Krishtin për eksodin e madh të tij, ku eksodi nën Moisiun ishte vetëm një portretizim i asaj që do të bënte Krishti, i vdekjes së tij në kryq për të na shpëtuar nga skllavëria e Egjiptit të mëkateve tona (Luka 9:30-31).

Kështu pra, Moisiu i pat dhënë Izraelit përshkrime e tipologji të mjaftueshme të Krishtit që do të vinte, hije të siluetës se Krishtit, të personit dhe veprës së tij që do të vinte, dhe që u përmbush në ardhjen e Tij. Në fakt madje Moisiu u pat profetizuar atyre shprehimisht për Krishtin që duhej të prisnin kur u pat thënë (L.Rip 18:15). Ashtu siç autori i letrës u pat shkruar të Krishterëve Hebrenj që të shkonin tek Krishti, dhe të kapeshin pas tij, autori thotë, se po kështu edhe vetë Moisiu u pat shkruar atyre një letër ku u thoshte që të kapeshin pas Krishtit, në fakt u pat shkruar atyre jo një, por pesë librat e parë të Dhiatës së Vjetër, dhe qëllimi i i tyre final ishte që të drejtonin tërë njerëzimin tek Jezus Krishti si Shpëtimtari i popullit të Tij, si apostulli dhe kryeprifti i madh i rrëfimit tonë, ndërtuesi i vërtetë i shtëpisë së Perëndisë.

Kush Eshte Shtëpia e Perëndisë

Por kush bën pjesë në shtëpinë e Perëndisë? Si duhet ta kuptojmë këtë shprehje? Vetë teksti i jep përgjigje kësaj pyetje: “Krishti si bir, mbi shtëpinë e tij, shtëpia e të cilit jemi ne” (vargu 6). Shtëpia që Jezusi po ndërton, në të cilin Moisiu ishte shërbëtor, është populli i Perëndisë.

Kjo është e rëndësishme pasi thekson vazhdimësinë ndërmjet Izraelit të Dhiatës së Vjetër dhe Kishës së Dhiatës së Re. Kuptohet që ka edhe ndryshim. Besëlidhja e Vjetër shikon përpara tek Krishti me kombin e Izraelit si shtëpi, ndërsa Besëlidhja e Re shikon pas tek Krishti me një popull ndërkombëtar, Kishën. Por pavarësisht ndryshimeve ndërmjet tyre për shkak të kontekstit të historisë së shpëtimit ku ndodhen ato, Izraeli dhe Kisha janë një. shtëpia e Perëndisë, populli i tij. Ky varg kështu, adreson gabimin teologjik të dispencionalizmit. Dispencionalizmi është një rrymë teologjike që thotë se Izraeli dhe Kisha janë dy gjëra të ndryshme në ekonominë e Perëndisë, se ato janë dy entitete të ndryshme, dhe se mënyra e shpëtimit të tyre janë të ndryshme. Në të vërtetë, shtëpia në të cilën Moisiu shërbeu, është shtëpia në të cilën Krishti është Zot, sepse janë e njëjta gjë. Dhiata e Re na jep përmbushjen e asaj që ishte premtuar dhe shpresuar në të vjetrën. Për shembull, përmbushja e tipologjisë së Tabernakullit dhe Tempullit është Kisha, që është shtëpia e Perëndisë, dhe që ndërtohet jo nga njeriu dhe mënyrat e njeriut por nga Krishti dhe fuqia e Ungjillit të Tij (Efesianëve 2:19-22; 1 Pjetrit 2:9-10). Pra, Izraeli i Besëlidhjes së Vjetër është gonxhja, dhe që më pas hapet e lulëzon në Kishën e Besëlidhjes së Re në Dhiatën e Re.

Nëse Kisha, pra bashkësia e besimtarëve, është populli i ri i Perëndisë dhe shtëpia e Tij, atëherë arsyeja që Perëndia po e ndërton këtë shtëpi është jo vetëm që ti japë lavdi emrit të Tij, por mbi të gjitha që të jetojë në të. Çfarë e vërtetë madhështore, Perëndia na ka shpenguar që ne të bëhemi banesa e tij (shiko Zbulesa 21:3).

Kjo është e vërtetë në dy nivele. Nëse ti o lexues ke ardhur tek Perëndia Ati përmes Birit, atëherë Ai jeton në ty dhe vepron në ty që të dëshirojë e të bëjë çdo gjë sipas vullnetit dhe qëllimit të tij të mirë, dhe këtë e bën me anë të Frymës së Shenjtë. Jezusi tha për frymën që do të dërgonte pa ngritjes: “qëndron me ju dhe to të jetë në ju,” (Gjoni 14:17). Kjo është jeta e Perëndisë në shpirtin e njeriut.

Por së dyti, ky realitet është akoma dhe më i vërtetë në bashkësinë e besimtarëve. Në fakt, përshkrimi në këtë pasazh thekson këtë dimension. Ne së bashku përbëjmë shtëpinë e Perëndisë; ai banon në mes nesh dhe në ne. Tek 2 Korintasve 6:16 Pali thotë “Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: ‘Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im’.” Po kështu edhe Pjetri shkroi “edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtohuni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit” (1 Pje. 2:5). Kisha është tempulli i shenjtë ku Perëndia i shenjtë banon në frymë, dhe ku adhurohet dhe shërbehet.

Shumë besimtarë dhe kisha lokale sot, nuk e marrin shumë seriozisht kishën, bashkësinë e shenjtorëve dhe adhurimin dhe shërbimin e përbashkët dhe publik të Perëndisë kur theksojnë përtej precedentit biblik një frymë të pashenjtë independence dhe individualizmi. Kisha nuk është një institucion njerëzor por trupi që vetë Perëndia ndërton dhe organizon, dhe ai vetë po ngre dhe në të cilën ai banon. Të jesh pjesë e kishës do të thotë që ti kesh rrënjët historike në popullin e Perëndisë dhe një lidhje shpirtërore me besimtarët e të gjithë kohërave dhe kontinenteve, në të kaluarën, në të tashmen, dhe në të ardhmen.

Dhiata e Vjetër na tregon gjeografinë e shpëtimit-ai person që donte të njihte dhe të njihej prej Perëndisë, që dëshironte ta përjetonte atë në mënyrë shpëtuese dhe adhuruese duhej që të bëhej pjesë e popullit të Perëndisë dhe të banonte me popullin e Perëndisë në prezencën e Perëndisë. Sigurisht që Perëndia është kudo, por mënyra e vetme për ta takuar atë në mënyrë shpëtuese ishte në mes të popullit të tij në Izrael, dhe më veçanërisht në Tempullin e tij. Sot, nëse do të takosh, njohësh e përjetosh Perëndinë duhet që të jesh përsëri pjesë e popullit të tij, e shtëpisë që ai ndërton, aty ky Fjala e tij predikohet dhe ku Emri i tij i Shenjtë adhurohet në frymë dhe në të vërtetë.

Kjo është arsyeja përse është e domosdoshme që një besimtar të jetë anëtar i një kishe lokale dhe besnike. Rritja Kristiane dhe dishepullimi ndodh në kontekstin e kishës, dhe është një ndërmarrje e përbashkët dhe jo një ekskursion i vetmuar dhe i pavarur.

Adhurimi i vërtetë i Perëndisë ndodh në një mënyrë të veçante në bashkësinë e shenjtorëve, në të cilën Perëndia premton që të na takojë dhe bekojë (Mateu 18:20). Prandaj dhe autori i letrës, disa kapituj më pas, na inkurajon që të mos heqim dorë nga të mbledhurit (Heb. 10:25), sepse grumbullimi i shenjtorëve për adhurim është banimi i Perëndisë në shtëpinë e Tij.

Prandaj nuk ka privilegj më të madh se sa të qenit një anëtar i kishës universale dhe i kishës lokale të Krishtit. Nuk ka as edhe një thirrje më të lartë se sa thirrja për të ofruar dhuntitë e talentet tona, kohën, energjinë dhe paratë për të ndërtuar shtëpinë që vetë Zoti ndërton.

Vështroni Krishtin

Le të vëmë re së fundi, nga ky pasazh, edhe thirrjen që autori apostolik, si rrjedhim i gjithckaje që u tha më lart, u lëshon lexuesve të tij dhe ne sot, dhe thirrja, me dy fjalë është thjesht kjo: Vështroni Krishtin.

Libri i Hebrenjve është një predikim inkurajimi dhe nxitjeje, dhe përfshin në të edhe shumë urdhra e madje fjali kushtëzore. Tek vargu gjashtë gjejmë një prej tyre: “por Krishti, si bir, është mbi shtëpinë e tij dhe shtëpia e vet jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës.”

Të Krishterët ungjillorë shpesh herë nervozohen nga deklarata të tilla që duket sikur mohojnë sigurinë e shpëtimit të besimtarëve të vërtetë, shpesh herë për shkak të teologjisë legaliste që është e mbushur me deklaratë kushtëzore të tipit “nëse bën këtë apo atë gjë, do të shpëtohesh.” Por këto urdhra dhe kushte vijnë nga Perëndia, dhe si rrjedhim janë jo vetëm të përshtatshme për ne por madje të domosdoshme. Qëllimi i këtyre deklaratave është që të inkurajojë besimin në kontekstin e vështirësive. Kështu, autori thotë: “Shtëpia e të cilit jemi ne, në u mbafshim fort, deri në fund, guximin dhe mburrjen e shpresës.”

Le të vëmë re së pari, thirrjen për të ngulmuar deri në fund. Nuk ka konflikt ndërmjet mësimit biblik se të gjithë besimtarët e vërtetë janë të sigurtë në dorën e Perëndisë, dhe mësimit po aq biblikk që thekson dhe urdhëron që të krishterët të ngulmojnë në besimin e tyre. I Krishteri i vërtetë do të vazhdojë të ngulmojë në besim deri sa të grumbullohen në qiell nga Perëndia. Por po kështu, i Krishteri i vërtetë provohet që është i tillë nga qëndrueshmëria që ai apo ajo ka në kalimin e sfidave të jetës dhe besimit. Ne jemi të shpëtuar vetëm me anë të besimit, kjo është e vërtetë, por testi i besimit tonë vjen përmes dëshirës dhe gatishmërisë për të ngulmuar dhe guxuar deri në fund, kur ndodhemi nën vështirësi apo madje edhe persekutim. Ata që nuk qëndrojnë e ngulmojnë deri në fund, siç bëri Juda apo Dema (2 Tim. 4:10), dëshmojnë përmes veprimeve të tyre që nuk kanë qenë kurrë të shpëtuar dhe as nuk kanë pasur ndonjë herë besimin shpëtues.

Pasazhi na thërret që të tregojmë guxim. Nga vjen guximi? Bibla thotë se guximi në vjen nga Perëndia, nga njohja e personit dhe e shpëtimit të tij, si dhe nga Fryma e Shenjtë, që Ai ia dërgon fëmijëve të tij të vërtetë.

Pra, e thënë ndryshe, kurajoja dhe guximi vjen nga shikimi. Ushtarët, në fushën e betejës shikojnë komandantin e tyre, që i udhëheq nga përpara, shikojnë flamurin tyre që u valëvitet në krah, shikojnë vëllezërit e armëve që u rrinë besnike, dhe marrin zemër. Kjo është çfarë ungjilli bën për të Krishterin. Ajo mbart dhe u tregon premtimin e Perëndisë se (Rom. 8:38-39). Njohja që vepra shpëtuese e Perëndisë është e sigurt, dhe që shpirti dhe trashëgimia jonë është i sigurt me të, na jep guximin për tu përballur me sfidat që i bien në short të Krishterit kudo nëpër botë.

Të gjithë komandantët e famshëm të historisë kanë pasur aftësinë që të impononin besim dhe guxim në ushtarët e tyre, thjesht përmes prezencës së tyre. Aleksandri i Madh, Cezari, Napoloni kishin një lloj aureole që i rrethonte dhe që i bënte t dukeshin të pamposhtur. Madje për Napoloni Bonapartin, ndoshta pushtuesi më i madh i historisë ushtarake, tregojnë se para betejës, i fuste gjeneralët në çadrën e tij të fushimit, që ta shikonin në sy përpara se të dilnin dhe të udhëhiqnin trupat e tij në fushën e betejës. Kuptohet që Napoleoni ashtu siç edhe të gjithë pushtuesit dhe gjeneralët e famshëm të njerëzimit humbën beteja dhe vdiqën. Madje edhe Aleksandri i Madh që nuk humbi asnjë betejë u mund nga vdekja. Por Krishti ngadhnjoi mbi të gjithë armiqtë e tij, e madje edhe mbi vdekjen. Besimi ynë është që ti mbajnë sytë tonë të fiksuara në kapitenin e shpëtimit tonë, le të shikojmë fytyrën e Krishtit, që ndërsa një herë u zbukurua më një kurorë ferrash, sot mban kurorën e lavdisë në atë të Perëndisë. Heb 2:9 na kujton se “por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit”. Kjo ishte çfarë Stefani, martiri i parë i kishës pa kur po e vrisnin. Veprat e Apostujve 7:55-56 na tregon, se ndërsa vrasësit e tij ishin mbledhur rreth tij që ta vrisnin me gurë, “Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë, dhe tha: ‘Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë’.” Me këtë pamje para syve ai mbajti fort deri në fund guximin e tij dhe mburrjes e shpresës që kishte në Zotin e tij, aq sa ai gjeti madje edhe hir në zemrën e tij për të kërkuar për faljen e vrasësve të tij, njëri prej të cilëve ishte edhe vetë Pali.

Le të jetë Jezus Krishti flamuri yt, burimi i guximit tënd. Fiksoi sytë e tu tek Jezusi, medito mbi plotësinë e veprës së tij për ty, e dashurisë së tij që e bëri të mbarte mëkatet e tua në kryqin e Golgotës. Nëse ndërgjegjja, bota apo satani të akuzon dhe të thotë, “Ja sa i madh është mëkati yt,” ti thuaji “Ja sa më i madh është Shpëtimtari im.”