• on 06/05/2008

06. Sovraniteti i Perëndisë – Atributet e Perendise

Sovraniteti i Perëndisë është të ushtruarit e epërsisë së tij-shih kapitullin pararendës. I ngritur pafundësisht mbi krijesën më të lartë, Ai është Shumë i Larti, zoti i qiellit dhe tokës. Ai nuk i nënshtrohet askujt, nuk ndikohet prej askujt dhe është absolutisht i pavarur. Ai bën atë që i pëlqen, vetëm atë që u pëlqen dhe gjithnjë atë që i pëlqen. Askush nuk mund ta pengojë atë. Ja çfarë shpall Fjala e Tij: “që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen” (Isa. 46:10); “Ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën” (Daniel 4:35). Sovraniteti i Perëndisë do të thotë që Perëndia është Perëndi, si në fakt, ashtu edhe në emër dhe që, nga Froni i universit, udhëheq gjithçka dhe vepron gjithçka “sipas këshillës së vullnetit të tij” (Efes. 1:11).

Me të drejtë thotë Çarls Spërxhën në predikimin e tij mbi Mateu 20:15:

“Nuk ka atribut më ngushëllues për fëmijët e tij sesa ai i Sovranitetit të Perëndisë. Në rrethanat më të pavorshme, në provat më të vështira, ata besojnë se Sovraniteti ka paracaktuar pikëllimet e tyre, se Sovraniteti sundon mbi to dhe se Sovraniteti do t’i shenjtërojë ato. Nuk ka doktrinë tjetër për të  cilën fëmijët duhet të luftojnë me zell, sesa doktrina e Zotit të tyre mbi tërë  krijimin, e Mbretërimit të Perëndisë mbi të gjitha veprat e duarve të tij, e  Fronit të Perëndisë dhe e të drejtës së tij për të sunduar në atë fron. Nga ana tjetër, nuk ka doktrinë që të urrehet më shumë nga njerëzit e botës, asnjë të  vërtetë të cilën e kanë bërë top futbolli, sesa doktrina e famshme, e  jashtëzakonshme, por mjaft e sigurtë e Sovranitetit të Jehovahut të pafund.  Njerëzit pranojnë shumë gjëra për Perëndinë, përveç faktit që Ai sundon në  fronin e tij. Ata e pranojnë që Ai modelon botën dhe krijon yje, që shpërndan bujarisht lëmoshat, që mban tokën dhe shtyllat e saj apo ndriçon dritat e qiellit, që sundon dallgët e detit që është gjithnjë në lëvizje, por kur Perëndia ngjitet në fron, krijesat e tij kërcëllijnë dhëmbët. Ne shpallim një Perëndi që  sundon në fron, që ka të drejtë të bëjë atë që do me krijesat e tij, të bëjë me ta siç i duket më mirë, pa u konsultuar aspak me ta, prandaj dhe na fishkëllejnë e na urrejnë, e na e bëjnë veshin të shurdhër, sepse nuk duan Perëndinë që sundon në fron. Por pikërisht për Perëndinë që mbretëron duam të predikojmë, sepse atij i besojmë”.

“Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat” (Ps. 135:6). Po, lexues i dashur, i tillë është Mbreti i Plotfuqishëm që na është zbuluar në Shkrimin e Shenjtë. I patejkalueshëm në madhështi, i pakufizuar në fuqi, i pandikuar fare nga çdo gjë që ndodhet jashtë vetes. Por ne jetojmë në një kohë kur edhe më “ortodoksët” kanë frikë ta pranojnë natyrën hyjnore të Perëndisë. Ata thonë se po të nxisësh idenë e sovranitetit të Perëndisë, përjashtohet përgjegjësia njerëzore, kur në fakt, përgjegjësia njerëzore bazohet në sovranitetin hyjnor dhe është produkt i tij.

“Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë” (Ps. 115:3). Ai zgjodhi si sovran që të vendoste çdo krijesë në pozitën që iu duk e përshtatshme. Ai krijoi engjëj, disa prej të cilëve i vuri në një pozitë të kushtëzuar, kurse disa të tjerëve u dha një rang të lartë e të pandryshueshëm (1 Tim. 5:21), por duke qenë nën Krishtin si kreu i tyre (Kol. 2:10). Mos ta harrojmë se engjëjt që mëkatuan (2 Pjet. 2:5), ishin edhe ato krijesat e tij si engjëjt që nuk mëkatuan. Megjithse Perëndia e paracaktoi se do të rrëzoheshin, ai i vuri ata në një pozitë të ndryshueshme e të kushtëzuar prej krijese dhe lejoi që të rrëzoheshin, pa qenë vetë Autori i mëkatit të tyre.

Edhe Adamin, në kopshtin e Adamit, Perëndia e vendosi si sovran, në një pozitë të kushtëzuar. Po të kishte dashur, ai mund ta kishte vendosur në një pozitë të pakushtëzuar, në një rang aq të qëndrueshëm sa ai që gëzojnë engjëjt. Ai mund ta kishte vënë atë në një pozitë aq të qëndrueshme dhe të pandryshueshme, si ajo që gëzojnë shenjtorët në Krishtin. Por ai zgjodhi që ta vendoste në Eden, në bazë të përgjegjësisë së tij si krijesë, që ishte bindja ndaj Krijuesit. Adami ishte i përgjegjshëm ndaj Perëndisë në bazë të ligjit që i kishte dhënë Krijuesi i tij. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një përgjegjësi të pacënuar, të provuar në kushtet më të favorshme.

Perëndia nuk e vuri Adamin në një pozitë përgjegjësie të kushtëzuar prej krijese, për shkak se ishte e drejtë që ai të vihej në atë pozitë. Jo, ishte e drejtë sepse Perëndia e bëri këtë. Perëndia nuk i krijoi krijesat sepse ishte e drejtë që ta bënte këtë, sikur të ishte i detyruar t’i krijonte, por ishte e drejtë sepse ai e bëri këtë. Perëndia është sovran dhe vullneti i tij është supreme. Në vend që Perëndia të jetë nën ndonjë ligj të së “drejtës”, ai është një ligj në vetvete e prandaj çfarëdo që bën është e drejtë. Mjerë rebeli që e vë në pikëpyetje sovranitetin e tij: Mjerë ai që i kundërvihet atij që e ka formuar, një fragment enësh balte me fragmente të tjera të enëve prej balte. A do t’i thotë argjila atij që i jep formë: “Ç’po bën?” (Isa. 45:9).

Përsëri, Zoti Perëndi e vendosi si sovran, në një pozitë të kushtëzuar. Kapitulli i nëntëmbëdhjetë, i njëzetë dhe i njëzetë e katërt i Eksodit e provon qartë këtë. Ata u vunë në një besëlidhje punish. Perëndia u dha disa ligje të caktuara dhe bekimet si komb do të vareshin për ta nga respektimi i dekreteve të tij. Por Iaraeli ishte qafëfortë dhe i parrethprerë në zemër. Ata rebeluan kundër Jehovahut, braktisën ligjin e tij, u kthyen te perënditë e rreme dhe rebeluan. Si pasojë, ata u gjykuan nga Perëndia, duke rënë në duart e armiqve dhe duke u shpërndarë në gjithë botën. Edhe sot ata janë nën zemërimin e fuqishëm të Perëndisë.

Perëndia, duke ushtruar sovranitetin e tij të lartë, e vuri Satanin dhe engjëjt e tij, Adamin dhe Izraelin në pozitën e tyre përkatëse të përgjegjshme. Sovraniteti i tij nuk e heq përgjegjësinë nga krijesa, por përkundrazi duke e ushtruar atë, Perëndia i vuri ata në këtë pozitë të kushtëzuar, nën disa përgjegjësi të caktuara që atij iu dukën të përshtatshme dhe si meritë e këtij sovraniteti, ai shihet se është vërtet Perëndi mbi gjithçka. Pra, ekziston një harmoni e përsosur midis sovranitetit të Perëndisë dhe përgjegjësisë së krijesës. Shumë persona kanë thënë pa mend se është e pamundur që të përcaktohet se ku përfundon sovraniteti hyjnor dhe ku fillon përgjegjësia e krijesës. Pikërisht këtu nis përgjegjësia e krijesës: në paracaktimin sovran të Krijuesit. Përsa i përket sovranitetit të tij, nuk ka patur dhe as nuk ka për të patur ndonjë “fund” ndaj tij!

Le të japim disa prova të mëtejshme se përgjegjësia e krijesës bazohet në sovranitetin e Perëndisë. Sa shumë gjëra janë shkruar në Shkrim, të cilat kanë qenë të drejta, sepse Perëndia i ka dekretuar dhe nuk do të kishin qenë të drejta, po të mos i kishte dekretuar! Çfarë të drejte kishte Adami që të “hante” nga pemët e Kopshtit? Pa lejen e Krijuesit të tij (Zan. 2:16), ai do të kishte qenë një hajdut! Ç’të drejtë kishte Izraeli që t’u “merrte hua” egjiptasve sende të çmuara dhe rroba (Eksodi 12:35)? Asnjë të drejtë, po të mos e kishte autorizuar Perëndia (Eks. 3:22). Ç’të drejtë kishte Izraeli që të therte të gjithë ato qengja për flijim? Asnjë, nëse Perëndia nuk do ta kishte urdhëruar. Ç’të drejtë kishte Izraeli të vriste tërë kanaanitët? Asnjë, nëse Jehovahu nuk do t’i kishte urdhëruar. Ç’të drejtë ka bashkëshorti t’i kërkojë nënshtrim të shoqes? Asnjë, nëse Perëndia nuk e ka urdhëruar këtë. Dhe kështu mund të vazhdojmë. Përgjegjësia njerëzore bazohet në sovranitetin hyjnor.

Ja një shembull tjetër i ushtrimit të sovranitetit absolute të Perëndisë. Perëndia i vendosi të zgjedhurit e tij në një pozitë të ndryshme nga ajo e Adamit apo Izraelit. Ai i vendosi të zgjedhurit e tij në një pozitë të pakushtëzuar. Në Besëlidhjen e Përjetshme, Jezu Krishti u caktua Kreu i tyre, mori përgjegjësinë e tyre mbi vete dhe përmbushi një drejtësi të përsosur, të paanulueshme dhe të përjetshme. Krishti u vendos në një pozitë të kushtëzuar, sepse iu “nënshtrua ligjit, që të shpengojë ata që ishin nën ligj”, por vetëm se ka një ndryshim të pafund: që të tjerët kanë dështuar, kurse ai jo dhe nuk mund të dështojë. Dhe kush e vuri Krishtin në atë pozitë të kushtëzuar? Perëndia Trini. Ishte vullneti sovran që e caktoi atë, dashuria sovrane që e dërgoi dhe autoriteti sovran që i caktoi atë që duhet të bënte.

Disa kushte të caktuara u vunë mbi Ndërmjetësin. Ai duhet të bëhej i ngjashëm me mishin mëkatar; ai duhet të lartësonte ligjin dhe ta nderont; duhet të mbante të gjitha mëkatet e të Tijëve në trupin e vet, mbi një pemë; ai do të kryente shklyerjen e plotë të mëkateve; duhet të duronte zemërimin e Perëndisë; duhet të vdiste e të varrosej. Nëse do të përmbushte këto kushte, iu premtua një shpërblim: Isaia 53:10-12. Ai do të ishte i Parëlinduri në mes të shumë vëllezërve; ai do të kishte një popull, që do të merrte pjesë në lavdinë e tij. I bekuar qoftë emri i tij përjetë, sepse ai i përmbushi këto kushte dhe si rrjedhim, Ati është i lidhur me betim solem, që të ruajë përmes kohës dhe të bekojë përmes përjetësisë secilin prej atyre për të cilin Biri i tij i mishëruar ndërmjetësoi. Duke qenë se ai zuri vendin e tyre, tani ata kanë pjesë me të. Drejtësia e Tij është e tyre, pozita e tij para Perëndisë është e tyre dhe jeta e tij është e tyre. Ata nuk kanë asnjë kusht të vetëm për të përmbushur, asnjë përgjegjësi për të kryer që të fitojnë harenë e përjetshme. “Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen” (Heb. 10:14).

Ja sovraniteti i Perëndisë i zbuluar para të gjithëve, zbuluar në mënyrat e ndryshme me të cilat i trajton krijesat. Një pjesë e engjëjve, Adami, Izraeli u vendosën mbi një pozitë të kushtëzuar, me bindjen e tyre dhe besnikërinë ndaj Perëndisë, si kusht për vazhdimësinë e bekimeve. Por në dallim të theksuar me ta, “tufës së vogël” (Luka 12:32) i është dhënë një pozitë të pakushtëzuar e të pandryshueshme në besëlidhjen e Perëndisë, këshillat e Perëndisë dhe Birin e Perëndisë. Bekimi i tyre kushtëzohet nga vepra e Krishtit për ta. “Themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: “Zoti i njeh të vetët” (2 Tim. 2:19). Themeli mbi të cilin qëndrojnë të zgjedhurit e Perëndisë është i përsosur e asgjë nuk mund t’i shtohet e as nuk mund t’i hiqet atij (Predikuesi 3:14). Ja pra, zbulimi më i lartë dhe madhështor i sovranitetit absolute të Perëndisë. Me të vërtetë ai “ka mëshirë për atë që do dhe e ngurtëson atë që do” (Rom. 9:18).