05-Qëllimi i Perëndisë

  • on 14/12/2014

05-Qëllimi i Perëndisë

Sepse Perëndia nuk e vuri nën pushtet të engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilin po flasim, 6 por dikush dëshmoi diku duke thënë: “Ç’është njeriu, që të bie ndërmend për të? Ose i biri i njeriut që të kujdesesh për të? 7 Ti e bëre për pak kohë më të vogël nga engjëjt, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder dhe e vure përmbi veprat e duarve të tua; 8 Ti i vure të gjitha nën këmbët e tij”. Sepse, mbasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa iu nënshtruar. Por tani nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e tij, 9 por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit. Heb. 2:5-9

Çfarë ngushëllimi, këshillë, apo shpjegimi mund ti jepet të Krishterit i cili i shkurajuar e dërrmuar nga kjo botë armiqësore ndaj tij dhe besimit të tij, nuk ndjen prezencën e Perëndisë por mungesën e Tij? Nëse, siç edhe besojmë, vdekja dhe ngjallja e Krishtit është zgjidhja e vërtetë e tërë problemeve të kësaj bote, dhe nëse Krishti me të vërtetë është ngjallur nga të vdekurit, si shpjegohet që problemet ekzistojnë ende?

Pyetja ka të bëjë me marrëdhënien e veprës shpëtuese të Krishtit me boten e tanishme. Kjo ishte edhe shqetësimi që i mundonte të Krishterët të cilëve iu drejtua fillimisht kjo letër. Nëse Krishti tashmë ka fituar e ngadhënjyer mbi dominimet, pushtetet dhe principata e kësaj bote (Kol. 2:15), dhe qëndron i ulur në fronin e pushtetit e autoritet në të djathtë të Atit, si shpjegohen Neronët e kësaj bote, avancimi në dukje i Islamit, i terrorit, i imoralitetit, dhe i gjithçkaje tjetër që militon kundra Perëndisë dhe Kishës së Tij?

Autori i kësaj letre, shtjellon zgjidhjen e këtij problemi dhe thotë se zgjidhja është Krishti. Qëllimi pastoral i letrës është pra që të mos i fiksojmë sytë tek Moisiut, ritualet e Dhiatës së Vjetër, dhe madje as edhe tek engjëjt, por tek Krishti. Krishti është zgjidhja e probleme të kësaj bote dhe jo engjëjt. Krishti është shpëtimtari dhe jo engjëjt. Prej Krishtit duhet të presim, dhe tek Krishti duhet të shkojmë dhe jo engjëjt. Dhe këtë autori i Hebrenjve jep në një përgjigje që ofron një rishikim gjithëpërfshirës të tërë historisë së njerëzimit, me qendër vdekjen e ngjalljen e ngritjen, dhe së fundi edhe kthimin e dytë të Krishtit.

Qëllimi i Perëndisë

Zgjidhja e vërtetë e çdo problemi vjen vetëm pasi është artikuluar saktë natyra e vërtetë e problemit. Pra nëse bëjmë pyetjet e gabuara, do të marrim përgjigjet e gabuara.

Për disa, problemi thelbësor i njerëzimit është injoranca. Ky grup beson se njeriu në thelb është i mirë, por se problemi i tij është se nuk është i ndriçuar nga filozofia dhe kultura e duhur për të formuar një shoqëri civile të suksesshme. Si rrjedhim, përgjigja logjikë është arsimimi i popullsisë. Për disa të tjerë, origjina e problemeve të kësaj bote qëndron në përjetimet e fëmijërisë dhe kontekstin familjar në të cilin fëmija rritet. Një familje problematike do të prodhojë një fëmijë problematik. Si rrjedhim, zgjidhja është rikonstruktimi social i shoqërisë. Për disa të tjerë, varfëria është problemi thelbësor i njerëzimit, dhe si rrjedhim individi nuk arrin të zhvillohet dhe të bëhet ai qytetari model. Zgjidhja logjike është për ta rishpërndarja e pasurisë dhe instalimi i një sistemi socialist apo komunist.

Por Bibla na e artikulon ndryshe natyrën dhe origjinën e problemit njerëzor. Problemi është mëkati. Ne jemi këtu ku gjendemi sot për shkak se njerëzimi ka braktisur qëllimin e parë dhe fillestar që Perëndia pat për njeriun kur e krijoi atë. Autori i Hebrenjve citon Psalmin 8, një meditim i Davidit mbi qëllimin e Perëndisë për njeriun, të cilin Ai e krijoi në imazhin e Tij, si dhe nderin, fuqinë e autoritetin me të cilin Ai e veshi njeriun. Davidi thotë:

“Ç’është njeriu, që të bie ndërmend për të?

Ose i biri i njeriut që të kujdesesh për të?

Ti e bëre për pak kohë më të vogël nga engjëjt,

ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder

dhe e vure përmbi veprat e duarve të tua.

Ti i vure të gjitha nën këmbët e tij”

(Heb. 2:6b-8a).

Ky përshkrim përputhet me qëllimin hyjnor për familjen njerëzore siç e gjejmë të shkruar tek Zanafilla 1:26-28. Perëndia tha, “Le ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi…” gjith­çka. Dhe pasi Perëndia e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet, mashkullin dhe femrën, Perëndia i bekoi dhe u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzojuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.”

Perëndia e krijoi njeriun në imazhin e Tij. Pra iu dha njeriut natyra dhe mandati për të sunduar dhe administruar tërë botën dhe të gjitha krijesat e tjera në të, ashtu siç bën Perëndia me gjithçka që Ai ka krijuar. Njeriu u ftua që të ishte një mbret nën Krye-mbretin. Njeriu u ftua që ta qeveriste këtë botë nën ndrojtjen dhe dashurinë e Perëndisë si mëkëmbës të Perëndisë në këtë botë. Kështu, burrit dhe gruas iu dha statusi i krijesës-mbret apo krijesës-mbretëreshë, me përgjegjësinë e thirrjen për të qeverisur krijesën e Tij, për lavdinë dhe nën Zotërimin e Perëndisë, Krijuesit-mbret.

Kjo është mirësia e Perëndisë ndaj njeriut. Këtë mirësi njeriu nuk e meritoi, sepse si mund të meritohet mirësia dhe dashuria e Perëndisë, madje edhe para futjes së mëkatit në botë. Perëndia nuk kishte se përse të krijonte njeriun. Perëndia Triune, Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë tashmë e kishin një marrëdhënie të bekuar, të mrekullueshme, e përjetësisht e pafundësisht përmbushëshe me njëri-tjetrin. Perëndia nuk i ka asnjë borxh njeriut. Prandaj dhe Davidi thotë “Ç’është njeriu, që të bie ndërmend për të? Ose i biri i njeriut që të kujdesesh për të?” Krijimi i njeriut ishte nga hiri. Mandatimi dhe kurorëzimi i tij ishte po ashtu nga hiri. Por diçka ndodhi.

Dështimi i Njeriut

Njeriu braktisi planin dhe qëllimin që Perëndia kishte për të. Zanafilla 3 na tregon se si kjo ndodhi. Adami, si përfaqësuesi i racës njerëzore pat qenë urdhëruar që të mos prekte Pemën e Njohjes së të mirës dhe të keqes. Njeriu nuk duhej të synonte pavarësinë nga Perëndia. Edhe pse zotëria e Kopshtit të Edenit, njeriu duhej të funksiononte nën zotërimin e Perëndisë, Krijuesit të tij. Përndryshe, “ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri,” i pat thënë Perëndia (Zan. 2:17).

Por Satani dhe gënjeshtrat e tij u futën në dominimin e njeriut i cili pranoi pa i bërë asnjë rezistence nga ana e Adamit. Ai i tha gruas se Perëndia nuk ua lejon Pemën e Njohjes për ti mbajtur larg qëllimit dhe potencialit të tyre të vërtetë. A nuk është kjo, edhe sot e kësaj dite, gënjeshtra që projektohet në çdo cep të rruzullit tokësor? “Perëndia nuk ia do të mirën racës njerëzore! Perëndia dhe besimi në Perëndinë është pengesë për avancimin e njeriut, për lumturinë e tij, për arritjen e potencialit të plotë të njeriut!” Dhe këto gënjeshtra avancohen kudo, jo vetëm pa përkufizuar se cili është potenciali i vërtetë i njeriut, apo se cili qenka destinacioni i vërtetë i tij, por edhe në kundërshtim me evidencat e bollshme të mirëdashjes dhe bujarisë së mrekullueshme të Perëndisë ndaj njeriut. “Ç’është njeriu, që të bie ndërmend për të? Ose i biri i njeriut që të kujdesesh për të?”

“Por tani nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e tij,” shton autori. Në këtë deklaratë përmblidhet problemi i vërtetë i racës njerëzore. Njeriu humbi nderimin, lavdinë, dhe dominimin mbi krijesën që e rrethon dhe madje edhe mbi vetveten. Nëse do të fillonim të bënim një listë të detajuar të ­çdo gjëje që njeriu nuk arrin të administrojë e dominojë siç duhet, gjëra që janë përgjithësisht apo plotësisht jashtë kontrollit të njeriut, kjo listë do të ishte shumë e gjatë. Njeriu është nën mëshirën e motin për burimet ushqimore. Njerëzimi ngado është i uritur, i sëmurë, i gjakosur, i përlotur e i përvuajtur në çdo anë të globit që të shikosh. Njeriu mund të ketë një farë influence mbi natyrën dhe botën e kafshëve, por në thelb ai nuk është në gjendje që të sundojë dhe administrojë siç duhet as vetveten e botën e tij të brendshme. Ai nuk kontrollon dot as pasionet e mendimet  e tij. Një këqyrje e shkurtër e çdo gazetë apo kanali televiziv është i mjaftueshëm për të parë provat e mjaftueshme të krizave ndërkombëtare, lokale apo personale, qofshin ato politike apo ekonomike, sociale apo arsimore, ideologjike apo fetare. Pasi njeriu hëngri nga pema e njohjes së mirës dhe të keqes, ai me të vërtetë arriti këtë njohuri. Ai kuptoi të mirën që humbi dhe njohu të keqen  që fitoi përmes rebelimit dhe mosbesimit të tij ndaj Perëndisë. Adami nuk u bë si Perëndia, siç i pat premtuar Satani, por si i ligu fjalën e të cilit ai besoi. Me të vërtetë, “tani nuk shohim ende që të gjitha të jenë nën pushtetin” e njeriut.

Përmbushja e Krishtit

“Por shohim Jezusin,” vjen përgjigja e dilemës njerëzore. Një Jezus “të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit.” Nga njëra anë kemi njeriun që u kurorëzua me një lavdi e nder të pamerituar në momentin e krijimit, nga ana tjetër qëndron Krishti i kurorëzuar me një lavdi e nder të merituar për shkak të kryqëzimit. Kjo është arsyeja që Perëndia dërgoi Birin e Tij në këtë botë dhe në atë Kryq, që të rifitojë atë që u humb. Krishti është përgjigja që Perëndia i jep problemit të njeriut dhe problemit të historisë. Krishti është shpresa e madhe, e vetme dhe e fundit e njerëzimit, sepse vetëm Krishti është përmbushja e qëllimit dhe destinacionit të premtuar të njeriut, dhe e planit për të cilin flet Psalmi 8. Krishti është Adami i ri i një krijimi të ri. Çfarë Adami humbi, Krishti rifitoi. Dhe kështu, kushdo që gjendet në Krisht, përmes besimit, bëhet pjesëmarrës  i lavdisë, nderimit dhe dominimit të rifituar të njerëzimit nga Krishti. “Por shohim Jezusin.” Ky është qëllimi i këtij libri, dhe në fakt i tërë Biblës. Të shpalosë Krishtin si Përgjigja, ai i cili rifiton atë për të cilën njeriu u krijua, por e humbi për shkak të mëkatit.

Si e bën Krishti këtë? Historia e shpëtimit është një dramë me tre akte. Së pari, ndodhi përulja e Krishtit, e cila na përmblidhet në fjalët “ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt,” (v. 9b). Personi i Dytë i Trinisë, Biri i përjetshëm Perëndi, me një ekzistencë të përsosur lavdie deri përpara trupëzimit, mori mbi vete natyrën e vdekshme mishore të njeriut, duke e përulur veten madje edhe nën engjëjt e Tij, për të shpenguar njeriun, dhe për ta restauruar atë në qëllimin dhe planin fillestar të Perëndisë. Por nadiri i përuljes së Tij ishte kryqi. Atje Ai vdiq atë vdekje që ishte e turpshme për standardin njerëzor, dhe atë vdekje që ishte e mallkueshme për standardin hyjnor. Dhe ndërsa ai mbarte mbi shpirtin e Tij të tërë fajin e mëkatit njerëzor, i tërë zemërimi i Perëndisë ra vrullshëm mbi të. “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Kor. 5:21).

Vargu 9 thotë edhe se Ai “provoi vdekjen për të gjithë njerëzit.” Autori nuk thotë se ai thjesht vdiq. Shprehja provoi apo shijoi vdekjen  është një përshkrim shumë grafik i  realitetit të rëndë dhe të dhimbshëm që ai përjetoi në kryq. Ai nuk pati një vdekje të shpejtë e pa dhimbje. Ai u torturua dhe vuajti deri sa i doli shpirti.

Jezusi përjetoi vdekjen në masën më të madhe të hidhësisë dhe hidhërimit. Ai nuk vdiq siç vdesin martirët, shpesh herë plot gëzim për shkak të kauzës për të cilin po japin jetën. Ai vdiq si një Shpëtimtar i pamëkatë, i mohuar e i tallur nga të gjithë ata që e rrethonin, por mbi të gjitha i mohuar e i braktisur edhe nga vetë Ati me të cilin ai kish kaluar tërë përjetësinë dhe prej të cilit buronte ekzistenca e tij. Në kryq ai thirri “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mat. 27:46).

Akti i dytë i historisë së shpëtimit ndodhi kur Perëndia e ngriti Birin nga vdekja dhe e lartësoi në të djathtë të Tij. Vargu 9 thotë “por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi.” Me ngjalljen e Krishtit nga vdekja, Perëndia Ati nderoi bindjen e përsosur të Birit, mbrojti dhe vërtetoi kauzën e tij, pranoi sakrificën e Jezusit si të përsosur për shpëtimin e mëkatarëve, dhe themeloi sundimin e Krishtit mbi njerëzimin e ri si Zoti dhe pararendësi i saj, fryti i parë i të korrave të Perëndisë.

Kështu vdekja nuk u bë fitimtari mbi Krishtin Jezus por viktima e tij. Dhe kështu Zoti Jezus vazhdon që të mbretërojë në këtë fazë të dytë të planit të shpëtimit, duke i dhuruar jetën e përjetshme përmes ungjillit, të gjithë atyre që vijnë tek Ai dhe i nënshtrohen Atij përmes pendimit, besimit dhe bindjes së re. Kështu Pali shkroi tek 2 Tim. 1:10 se Jezusi, “prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit.”

Konsumimi i Qëllimit

Gjithçka që kemi thënë deri tani, i ka dhënë përgjigje pyetjes se cila është në të vërtetë natyra e problemit njerëzor, dhe se cila është zgjidhja që Perëndia jep. Shumë bukur deri këtu. Por çështja është se, edhe pse Krishti vdiq e u ngjall, e madje u morr lart tek Atit prej nga mbretëron e sundon, ne si njerëz e besimtarë të lënë këtu në tokë, shikojmë dhe përjetojmë çdo ditë se praktikisht gjërat ende nuk duken të jenë në pushtetin e Tij. Nëse Krishti tashmë ka fituar e ngadhënjyer mbi dominimet, pushtetet dhe principata e kësaj bote (Kol. 2:15), dhe qëndron i ulur në fronin e pushtetit e autoritet në të djathtë të Atit, si shpjegohen Neronët e kësaj bote, avancimi në dukje i Islamit, i terrorit, i imoralitetit, dhe i gjithçkaje tjetër që militon kundra Perëndisë dhe Kishës së Tij?

Përgjigja është se ende nuk jemi futur në aktin e tretë të historisë së shpëtimit. Ne jetojmë në atë periudhë të historisë që teologët e njohim me frazën “tashmë/por ende jo.” Ky është një koncept i rëndësishëm teologjik dhe që të Krishterët e vërtetë bëjnë mirë që ta kuptojnë pasi është çelësi i interpretimit të shumë pasazheve biblike. Vargu 9 thotë që Jezusi tashmë është i kurorëzuar, por ende jo gjithçka i është nënshtruar Atij.

Një ilustrim nga Lufta e Dytë Botërore. Zbarkimi i Anglo-Amerikanëve në Normandi, më 6 Qershor të 1944, në atë ditë që njihet si D-Day, ishte vendimtare për fatin e njerëzimit. Ajo ishte dita e fitimit të Luftës. Hyrja e Aleatëve në luftë siguroi fitoren mbi Nazi-Fashizmin. Por, edhe pse lufta faktikisht ishte e fituar që nga ai moment, betejat nuk mbaruan deri me 9 Maj të 1945, në atë ditë që njihet në histori si V-Day apo Victory Day, dhe është dita e kapitullimit të Gjermanisë, dhe efektivisht edhe i mbarimit të luftës ne Kontinentin Evropian. Por nga D-Day në V-Day do të kalonin 11 muaj e tre ditë. Fitorja ishte tashmë e siguruar por endo jo e konsumuar. Ngadhënjimi i Aletave ishte i siguruar e i vulosur e real, por ende jo një realitet i plotë. Ishte ende e rrezikshme që të jetoje në Evropë ndërmjet D-Day dhe V-Day.

Kur Krishti ishte në tokë ai deklaroi se me ardhjen e Tij në botë, kishte ardhur edhe Mbretëria e Perëndisë (Luka 17:20-21). Ai tashmë sundon në zemrat dhe jetët e besimtarëve. Por ai gjithashtu edhe i tha Pilatit se mbretëria e Tij nuk ishte e kësaj bote (Gjoni 18:36).

Historia e Tij dhe e jona me të nuk ka arritur në plotësinë e planifikuar nga Perëndia. Prandaj dhe autori i Hebrenjve shkroi “Sepse Perëndia nuk e vuri nën pushtet të engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilin po flasim,” (v. 5).

A sundon Krishti në këto momente që shkruajmë e lexojmë? Po, por jo në mënyrë të dukshme. Jo çdo gju është në tokë përpara Tij, jo çdo gjuhë e rrëfen atë si Zotin e gjithçkaje. E megjithatë Krishti mbretëron shpirtërisht mbi këtë botë. Ai avancon në çdo moment kundra armiqve të tij përmes shpatës së Ungjillit. Ai udhëheq të tijtë që të dalin nga kjo botë e ligë, dhe të veçohen për të, të gjithë ata që nuk i përkasin kësaj bote por asaj që vjen.

Ose e thënë ndryshe: Krishti si përgjigja ka ardhur dhe ka siguruar shpëtimin. Por ai do të vijë përsëri për të sjellë konsumimin apo implementimin e plotë e final të saj, instalimin e plotë dhe final të mbretërimit të Tij në tokën e re dhe qiellin e ri. Prandaj dhe Ai na instruktoi që të lutemi “Ardhtë mbretëria jote dhe u bëftë vullneti yt në tokë si në qiell” (Mat. 6:10). Krishti do të kthehet përsëri që të konsumojë fazën apo aktin e tretë të historisë së shpëtimit, dhe ai do të vijë me një lavdi për të konsumuar plotësisht mbretërimin e tij, për të triumfuar përfundimisht mbi të gjithë armiqtë e tij dhe të njerëzimit – mëkatin e vdekjen, të Ligun dhe këtë botë të ligë, dhe të gjitha këto do të bien nën këmbët e tij të shkatërruara, duke i hapur rrugën krijimit të ri, botës së re dhe qiellit të ri.

Bota që ka për të ardhur është përmbushja finale e veprës së Krishtit, dhe rikrijimi e riprurja e njerëzimin në pikën e fillimit, në parajsën e re, në të cilin njeriu, i rikurorëzuar me lavdi dhe nder, rimandatohet që ti shërbejë përjetësisht Perëndisë, siç edhe duhet ta kishte bërë që në fillim.

Triumfi i ardhshëm i Krishtit tashmë shikohet në jetët e atyre që i përkasin atij. Shikohen në atë se si ata i kthejnë krahët mëkatit dhe të ligut, në jetën e Kishës se si shndërrohet në atë pemën e madhe të jetës në të gjitha kontinentet e tokës, dhe se si edhe në mes të një civilizimi shekullar dhe armiqësor ndaj Perëndisë dhe popullit të tij, Kisha jeton si kripa dhe drita për të shtrirë sundimin e Krishtit mbi gjithçka.

Që do të thotë, se pyetja e vërtetë është kjo: Kujt bote i përket ti o lexues? Në cilën botë i ke vendosur shpresat dhe ëndrrat e tua? Në këtë botë që është tashmë e gjykuar dhe e dënuar, apo në atë që po vjen përmes besimit në Krishtin që vjen? Për ne që i përkasim Krishtit, le të mos shikojmë prapa, si­ç bëri gruaja e Lotit, që ndërsa Perëndia po e shpëtonte dhe po e nxirrte nga bota e ndryrë e imorale e Sodomit dhe Gomorës, ajo i mbante sytë prapa dhe kështu humbi (Zan. 19:26). Le të mos shikojmë prapa në këtë botë me mall e nostalgji, por vetëm tek Kryqi me mirënjohje, në atë Kryq tek i cili Krishti përjetoi torturën e vdekjen  për ne, duke ia thyer krahun të ligut dhe kësaj bote të rënë. Por mbi të gjitha le të shikojmë përpara plot besim për ditën e triumfit, në të cilën Krishti do të kthehet në lavdi, për të sunduar në drejtësi, paqe e gëzim përgjithmonë. “Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: ‘Po, unë vij shpejt. Amen’. Po, eja, Zoti Jezus.” Maranatha (Zbu. 22:20; 1 Kor. 16:22). AMEN.