• on 06/05/2008

04. Njohja Paraprake e Perendise – Atributet e Perendise

Sa debate kanë lindur nga kjo temë në të kaluarën! Po cila është ajo e vërtetë e Shkrimit të Shenjtë që nuk është kthyer në arenë të betejave teologjike dhe kishtare? Ndër të tjera mund të përmendim hyjninë e Krishtit, lindjen e tij të virgjër, vdekjen e tij shlyese, ardhjen e tij të dytë; shfajësimin, shenjtërimin, sigurinë e besimtarit; kishën, administrimin e saj, pleqtë e saj, disiplinën; pagëzimin, Darkën e Zotit dhe një sërë të vërtetash të tjera të çmuara. E megjithatë, debatet që janë zhvilluar mbi to nuk ua mbyllën gojën shërbëtorëve besnikë të Perëndisë. Atëherë pse duhet ta shmangim çështjen e mundimshme të paranjohjes së Perëndisë, sepse në fakt, ka nga ata që do të na padisin se nxisim grindje? Le të grinden të tjerët sa të duan, por ne kemi për detyrë të dëshmojmë sipas dritës që na është dhënë.

Ka dy gjëra në lidhje me paranjohjen e Perëndisë për të cilat shumë veta janë në padituri: kuptimi i shprehjes dhe qëllimi biblik i saj. Meqenëse kjo padituri është shumë e përhapur, është e lehtë që predikuesit dhe mësuesit t’i mbushin me çoroditje të tilla në lidhje me paranjohjen edhe besimtarët e krishterë. Ka vetëm një parandalim kundër gabimit, që është të rrënjosesh në besim dhe për këtë nevojitet një studim i zellshëm e plot lutje dhe një pranim i Fjalës së ngulitur të Perëndisë me butësi. Vetëm atëherë forcohemi kundër sulmeve që na rrethojnë. Ka nga ata sot që po e abuzojnë këtë të vërtetë që të diskreditojnë dhe të mohojnë sovranitetin absolut të Perëndisë në shpëtimin e mëkatarëve. Ashtu si kritikët e lartë (që merren me studimin kritik të teksteve biblike, për të vërtetuar prejardhjen e tyre letrare, historinë, kuptimin dhe qëllimin e autorëve) hedhin poshtë frymëzimin hyjnor të Shkrimeve, evolucionistët hedhin poshtë veprën e Perëndisë në krijim, po ashtu disa mësues pseudo-biblikë po shtrembërojnë paranjohjen e tij, që të mohojnë zgjedhjen e tij të pakushtëzuar në jetën e përjetshme.

Kur shtjellohet tema solemne dhe e bekuar e paracaktimit, kur paraqitet zgjedhja e përjetshme e Perëndisë, që disa persona të bëhen të ngjashëm me shëmbëllimin e Birit të tij, armiku dërgon disa teologë që të argumentojnë se zgjedhja bazohet në paranjohjen e Perëndisë dhe kjo “paranjohje” interpretohet në mënyrë të tillë që të nënkuptojë se Perëndia e parashikoi se disa persona do t’i përgjigjen më lehtë se të tjerët bindjes së Frymës. Dhe duke qenë se Perëndia e dinte se ata do të besonin, ai i paracaktoi ata në shpëtim. Por një thënie e tillë është krejtësisht e gabuar, pasi mohon të vërtetën e prishjes së plotë, duke supozuar se tek disa njerëz gjendet diçka e mirë. Sipas kësaj ideje, mënjanonohet pavarësia e Perëndisë, sepse i bën dekretet e tij të varen nga çfarë ai zbulon në një krijesë. Por kjo shkakton konfuzion, sepse në fakt, e vërteta është krejt e kundërta e idesë që Perëndia e parashikoi se disa mëkatarë do t’i besojnë Krishtit dhe si rrjedhim, ai i paracaktoi ata për shpëtim. Shkrimi pohon se Perëndia, në sovranitetin e tij të lartë, veçoi disa për të marrë favoret e tij të dallueshme (Veprat 13:48) dhe si rrjedhim, Ai vendosi që t’u japë atyre dhuratën e besimit. Teologjia e bën paranjohjen e besimit tonë shkakun e zgjedhjes së tij për shpëtim, kurse në fakt, zgjedhja e Perëndisë është shkaku, ndërsa të besuarit tonë te Krishti është efekti.

Para se të vazhdojmë më tej me diskutimin tonë mbi këtë teme kaq shumë të keqkuptuar, le të pushojmë pak dhe të përkufizojmë mirë shprehjet tona. Çfarë nënkuptojmë me “paranjohje?”. “Të njohësh që më parë” është përgjigjja e shpejtë që japin shumë veta. Por nuk duhet të arrijmë në përfundime të nxituara e as nuk duhet t’i drejtohemi fjalorit të Uebsterit, sikur të ishte autoriteti më i lartë, sepse nuk ka të bëjë me etimologjinë (që ka të bëjë me prejardhjen e një fjale, apo me përshkrimin e historisë së një fjale të veçantë) e shprehjes së përdorur. Na duhet të zbulojmë sesi përdoret fjala në Bibël. Përdorimi i një shprehjeje nga Fryma e Shenjtë përcakton gjithnjë kuptimin e qëllimin e saj. Eshtë pikërisht dështimi për ta zbatuar këtë rregull të thjeshtë që është përgjegjëse për kaq shumë konfuzion dhe gabim. Shumë njerëz supozojnë se e dijnë domethënien e një fjale të caktuar që përdoret në Shkrim, por janë shumë të ngadaltë për t’i provuar supozimet e tyre me anë të një liste alfabetike të fjalëve kryesore të Biblës, duke iu referuar pasazheve në të cilat ato ndodhin. Le ta zgjerojmë këtë.

Merrni fjalën “mish”. Kuptimi i saj duket aq i qartë sa shumë personave u duket një humbje kohe që të kërkojnë për referencat e saj të ndryshme përmes Shkrimit. Supozohet me ngut se fjala është sinonim i trupit fizik dhe si rrjedhim nuk bëhet asnjë kërkim i mëtejshëm. Por në fakt, në Bibël, fjala “mish” përfshin shpesh shumë më tepër se sa diçka fizike. Për të arritur kuptimin e vërtetë të shprehjes duhet një krahasim i zellshëm i çdo rasti kur përmendet dhe një studim i çdo konteksti të veçantë. Merrni fjalën “botë”. Lexuesi i zakonshëm i Biblës kujton se kuptimi i kësaj fjale ka të bëjë me racën njerëzore dhe si rrjedhim, shumë pasazhe ku gjendet shprehja interpretohen gabim. Merrni fjalën “pavdekësi”. Pse duhet studjuar kur është e qartë se ka lidhje me pashkatërrueshmërinë e shpirtit. Ç’ marrëzi dhe sa gabim është të supozosh diçka, kur ke të bësh me Fjalën e Perëndisë! Nëse lexuesi do të marrë mundimin që të shqyrtojë me kujdes çdo pasazh ku gjenden “e vdekshmja” dhe “e pavdekshmja”, do ta shohë se këto fjalë nuk zbatohen kurrë ndaj shpirtit por gjithnjë ndaj trupit.

Çfarë thuhet për “mishin”, “botën” dhe “pavdekësinë” zbatohet njësoj edhe për shprehjet “të njohësh” dhe të “njohësh paraprakisht”. Në vend që të përfytyrojmë se këto fjalë nuk nënkuptojnë më shumë se një njohje të thjeshtë, pasazhet e ndryshme në të cilat ato gjenden duhet të shqyrtohen me kujdes. Fjala “paranjohje” nuk gjendet në dhjatën e Vjetër. Por fjala “njoh” përmendet shpesh. Kur shprehja përdoret në lidhje me Perëndinë, do të thotë shpesh të konsiderosh dikë me favor, duke nënkuptuar jo një njohje të thjeshtë por një pasion për një objekt të caktuar. “Të njoh personalisht” (Eksodui 33:17). “U bëtë rebelë kundër Zotit, qysh nga dita që ju kam njohur” (Ligji i Përtërirë 9:24). “”Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur” (Jeremia 1:5). “Kanë bërë mbretër disa, por jo sipas dëshirës sime; kanë caktuar krerë, por pa dijeninë time; me argjendin e tyre dhe me arin e tyre kanë bërë idhuj, me qëllim që të shkatërrohen” (Osea 8:4). “Vetëm ju kam njohur midis tërë familjeve të dheut; prandaj unë do t’ju ndëshkoj për të gjitha paudhësitë tuaja” (Amos 3:2). Në këto pasazhe, “njohur” do të thotë ose dashur ose caktuar.

Po ashtu, fjala “njoh” përdoret shpesh në Dhjatën e Re, me të njëjtin kuptim si në Dhjatën e Vjetër. “Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë” (Mat. 7:23). “Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua” (Gjoni 10:14). “Por në qoftë se dikush e do Perëndinë, ai është i njohur prej tij” (1 Kor. 8:3). “Zoti i njeh të vetët” (2 Tim. 2:19).

Fjala “paranjohje”, siç përdoret në Dhjatën e Re, është më pak e errët se sa në formën e thjeshtë “të njohësh”. Nëse çdo pasazh, në të cilin fjala përmendet, do të studiohet me kujdes, do të zbulohet se është një çështje, që ka të bëjë me faktin, nëse lidhet me konceptimin e thjeshtë të ngjarjeve që do të ndodhin. Në fakt, kjo “paranjohje” nuk përdoret kurrë në Shkrim, në lidhje me ngjarje apo veprime që do të ndodhin në të ardhmen, por ka lidhje gjithnjë me “persona”. Nuk na thuhet se Perëndia “paranjohu” veprimet e personave por vetë personat. Për ta provuar këtë, ne do të citojmë çdo pasazh ku gjendet kjo shprehje.

Referenca e parë gjendet te Veprat 2:23, në të cilën lexojmë: “Ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë”. Po të shihen me kujdes fjalët e këtij vargu, do të zbulohet se apostulli nuk bën fjalë për paranjohjen e Perëndisë mbi veprimin e kryqëzimit, por të Personit të kryqëzuar: “Ai (Krishti) ….ju dorëzua” etj.
    Kurse e dyta gjendet te Ronmakëve 8:29-30. “Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri” etj. Vlerësojeni me kujdes përemrin e përdorur këtu. Nuk është çfarë ai ka njohur që më parë, por ata që i ka njohur. Nuk është fjala këtu për dorëzimin e vullnetit të tyre e as për besimin e zemrave të tyre, por për vetë personat.

“Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që përpara” (Rom. 11:2). Përsëri, referimi është ndaj personave.

Referenca e fundit gjendet te 1 Pjetër 1:2: “Të zgjedhurve sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit”. Kush janë “të zgjedhurit sipas paranjohjes së Perëndisë, Atit? Vargu i mëparshëm na e tregon këtë: referenca është ndaj të “huajve të shpërndarë”, atyre të diasporas, judejve besimtarë. Pra, edhe këtu, referenca është ndaj personave dhe jo ndaj veprimeve të tyre të parashikuara.

Duke patur parasysh këto pasazhe (nuk ka më të tjera), çfarë baze biblike mund të ketë dikush që thotë se Perëndia i “njihte që më parë” veprimet e disa personave, dmth “pendimin dhe besimin” e tyre dhe se, për shkak të këtyre veprimeve, ai i zgjodhi ata në shpëtim? Por nuk është aspak e vërtetë, pasi Shkrimi nuk na e paraqet kurrë pendimin dhe besimin si të parashikuar apo paranjohur nga Perëndia. Ai sigurisht e dinte që nga përjetësia se disa persona do të pendoheshin dhe do të besonin, por ky nuk është sipas Shkrimit objekti i “paranjohjes” së Perëndisë. Kjo fjalë ka të bëjë gjithnjë me paranjohjen e Perëndisë ndaj disa personave, prandaj le ta ruajmë “modelin e fjalëve të shëndosha” (2 Tim. 1:13).

Diçka tjetër ndaj së cilës ne dëshirojmë të tërheqim vëmendjen është fakti që dy pasazhet e para e cituara më lart tregojnë dhe mësojnë qartë se “paranjohja” e Perëndisë nuk është shkakësore, por përkundrazi, diçka tjetër qëndron nga pas, i paraprin asaj, që është dekreti i Tij sovran. Krishti u “dorëzua nga (1) këshilla e paracaktuar dhe (2) e paranjohur e Perëndisë” (Veprat 2:23). “Këshilla” ose dekreti i Tij ishte baza e paranjohjes së Perëndisë. Le të kthehemi përsëri te Rom. 8:29, që hapet me fjalën “sepse”, gjë që na tregon se duhet të lexojmë vargun e mëparshëm. Atëherë, çfarë thuhet në vargun paraprirës? Se “të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për…që janë të thirrur sipas qëllimit të tij”. Pra, paranjohja e Perëndisë bazohet në qëllimin ose dekretin e tij (shih Ps.2:7).

Perëndia e paranjeh atë që do të ndodhë, sepse ka dekretuar atë që do të ndodhë. Prandaj të pohosh se Perëndia zgjedh, sepse i njeh njerëzit që më parë, është në kundërshtim me rendin e Shkrimit. Në fakt, Ai “paranjeh” sepse ka zgjedhur. Kjo e heq arsyen apo shkakun e zgjedhjes nga krijesa dhe e vendos te vullneti sovran i Perëndisë. Perëndia vendosi që të zgjidhte disa persona, jo për shkak të ndonjë gjëje në ta, që ata kryejnë çdo ditë apo që është parashikuar se do të kryejnë, por thjesht nga dëshira e tij. Ne nuk e dime pse Ai ka zgjedhur disa persona, por mund të themi “Po, o Atë, sepse kështu të pëlqeu ty”. Romakëve 8:29 mëson qartë se Perëndia, para themelimit të botës, veçoi disa mëkatarë dhe i caktoi që të shpëtoheshin (2 Thes. 2:13). Kjo shihet qartë nga fjalët përmbyllëse të vargut: “Që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij” etj. Perëndia nuk paracaktoi ata që e dinte që më parë se ishin “të ngjashëm”, por, përkundrazi, ata që i “njihte që më parë” (pra, ata që i donte dhe i zgjodhi), Ai i paracaktoi që të ishin të ngjashëm. Ngjashmëria e tyre me Krishtin nuk është shkaku, por efekti i paranjohjes dhe paracaktimit të Perëndisë.

Perëndia nuk e ka zgjedhur një mëkatar, sepse e dinte që më parë se do të besonte, për arsyen e thjeshtë se asnjë mëkatar nuk beson pa i dhënë Perëndia besim, ashtu si njeriu nuk sheh pa i dhënë Perëndia dritën e syrit. Drita e syrit është dhuratë e Perëndisë, ndërsa të shikuarit është pasojë e përdorimit tim të asaj dhurate. Pra, besimi është dhuratë e Perëndisë (Efes. 1:8,9), kurse të besuarit është pasojë e përdorimit tim të kësaj dhurate. Po të ishte e vërtetë që Perëndia ka zgjedhur disa që të shpëtohen, sepse do të besonin në kohën e duhur, atëherë të besuarit do të ishte një veprim meritues e në atë rast, mëkatari i shpëtuar do të kishte arsye për “mburrje”, gjë që Shkrimi e mohon qartë: Efesianëve 2:9.

Sigurisht që Fjala e Perëndisë mëson mjaft qartë se të besuarit nuk është një veprim meritues. Ajo pohon se të krishterët janë njerëz “që kanë besuar me anë të hirit” (Veprat 18:27). Nëse ata kanë besuar “me anë të hirit”, “të besuarit” nuk ka asnjë meritë e si rrjedhim nuk mund të jetë arsyeja apo shkaku që e ka nxitur Perëndinë për t’i zgjedhur ata. Jo, zgjedhja e Perëndisë nuk buron nga diçka që ndodhet në ne, por vetëm nga dëshira e tij sovrane. Tek Romakëve 11:5, lexojmë sërish për “Një mbetje pas zgjedhjes së hirit”. Ёshtë mjaft e qartë, se vetë zgjedhja është prej hirit dhe hiri është një favor i pamerituar, diçka për të cilën ne nuk kishim asnjë ndikim tek Perëndia.

Pra, duket se është mjaft e rëndësishme që të kemi pikëpamje të qartë dhe biblike mbi “paranjohjen” e Perëndisë. Konceptet e gabuara rreth saj të shpien patjetër në mendime që nuk e nderojnë atë aspak. Ideja mjaft e njohur mbi paranjohjen Hyjnore është krejt e pavend, pasi Perëndia jo vetëm që e dinte fundin që në fillim, por edhe planifikoi, fiksoi, paracaktoi gjithçka që në fillim. Dhe, ashtu si shkaku qëndron në raport me efektin, po ashtu, qëllimi është baza e parashikimit të tij. Nëse lexuesi është një i krishterë i vërtetë, kjo ndodh sepse Perëndia e ka zgjedhur atë në Krishtin, që para krijimit të botës (Efes. 1:4) dhe jo se e ka zgjedhur, sepse parashikoi se do të besonte, por e zgjodhi thjesht sepse i pëlqeu ta zgjidhte, pavarësisht nga besimi natyror. Atëherë, e tërë lavdia i përket Atij. Ju nuk keni asnjë arsye që të merrni ndonjë meritë për vete. Ju keni “besuar me anë të hirit” (Veprat 18:27), sepse vetë zgjedhja juaj ka qenë “perj hirit” (Rom. 11:5).