• on 06/05/2008

03. Njohja e Perendise – Atributet e Perendise

Perëndia është i gjithëdijshëm. Ai njeh gjithçka, gjithçka të mundur, gjithçka aktuale, çdo ngjarje, çdo krijesë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ai e njeh përsosmërisht çdo detaj të jetës së çdo krijese në qiell, në tokë dhe në ferr. “Njeh atë që është në terr” (Danieli 2:22). Asgjë nuk i shpëton syrit të Tij, asgjë nuk mund t’i fshihet atij, asgjë nuk harrohet prej tij. Le të themi me psalmistin: “Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij” (Ps. 139:6). Njohja e Tij është e përsosur. Nuk gabon kurrë, nuk ndryshon kurrë dhe nuk lë asgjë pas dore. “Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari” (Heb. 4:13). Po, i tillë është Perëndia me të cilin “ne kemi të bëjmë!”.

      “Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia. Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht” (Ps. 139:2-4). Ç’ Qenie e mahnitshme është Perëndia i Shkrimit! Secili prej atributeve të Tij të lavdishme duhet të na nxisë që ta nderojmë. Njohja e gjithdijshmërisë së tij duhet të na nxisë që të përkulemi në adhurim para tij. E megjithatë sa pak ne meditojmë mbi këtë përsosmëri hyjnore! Mos ndoshta kjo ndodh sepse thjesht ideja e kësaj përsosmërie na bën të mos ndjehemi mirë?

      Sa solemn është fakti që asgjë nuk mund t’i fshihet Perëndisë! “Pastaj Fryma e Zotit ra mbi mua dhe më tha: “Thuaj: Kështu thotë Zoti: Ju thoni kështu, o shtëpi e Izraelit, dhe unë i njoh gjërat që ju shkojnë në mend” (Ezekiel 11:5). Megjithëse Ai është i padukshëm për ne, nuk jemi ne të padukshëm ndaj tij. As errësira e natës, as perdet më të trasha e as biruca më e thellë nuk mund ta fshehë mëkatarin nga sytë e të Gjithëdijshmit. Pemët e kopshtit nuk mundën t’i fshihnin prindërit tanë të parë. Asnjë sy njeriu nuk e pa Kainin duke vrarë të vëllanë, por Krijuesi i tij dëshmoi krimin. Sara mund të qeshë me ironi brenda një çadre, por Jehovahu e dëgjoi. Akani mori një shufër ari dhe e fshehu mirë në tokë, por Perëndia e nxori në dritë. Davidi u mundua shumë që të mbulonte ligësinë e tij, por Perëndia që sheh gjithçka dërgoi një prej shërbëtorëve të Tij që t’i thoshte: “Dhe në qoftë se nuk veproni kështu, atëherë do të mëkatoni kundër Zotit; dhe të jeni të sigurtë që mëkati juaj do t’ju gjejë” (Num. 32:23).

      Po të mundte, njeriu do t’ia hiqte Perëndisë gjithëdijeninë, diçka kjo që provon se “Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë” (Rom. 8:7)!. Të këqijtë e urrejnë natyrshëm këtë përsosmëri hyjnore sepse janë të detyruar ta pranojnë këtë, në mënyrë të natyrshme. Ata do të donin që të mos ekzistonte një Dëshmitar i mëkateve të tyre, as një Hulumtues i zemrave të tyre e as një Gjykatës të veprave të tyre. Ata përpiqen që ta dëbojnë një Perëndi të tillë nga mendimet e tyre: “Atyre nuk u shkon në mend që unë nuk e harroj gjithë ligësinë e tyre” (Osea 7:2). Sa solemn është psalmi 90:8. Ndaj dhe çdo mohues i Krishtit, dridhet me të drejtë para tij: “Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate”.

      Por për besimtarin, fakti i gjithëdijenisë së Perëndisë është një e vërtetë plot me ngushëllim. Në kohët e hutimit, ai thotë me Jobin: “Por ai e njeh rrugën që unë kam marrë” (Jobi 23:10). Mund të jetë tejet misterioze për mua, e pakuptueshme për miqtë e mi, por “Ai e njeh!”. Në kohë dobësie dhe lodhjeje besimtarët ngushëllohen që “Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur” (Ps. 103:14). Në kohë dyshimi dhe mosbesimi ata u drejtohen këtij atributi duke thënë: “Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme” (Ps. 139:23, 24). Në kohë dështimi dëshpërues, kur veprimet i demaskojnë zemrat tona, kur veprat tona e kanë mohuar përkushtimin tonë dhe pyetja depërtuese na vjen në mendje: “A më do ti mua?”, ne themi si Pjetri “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua” (Gjoni 21:17).

      Ja një inkurajim për lutjen. Nuk ka shkak për të patur frikë se lutjet e të drejtit do të mbeten pa u dëgjuar dhe rënkimet e lotët e tyre do t’i shpëtojnë syrit të Perëndisë, meqenëse Ai i njeh mendimet dhe qëllimet e zemrës. Nuk ka rrezik që një shenjtor të mos vihet re në mes të morisë së lutësve që paraqesin çdo orë e ditë kërkesat e ndryshme, sepse një Mendje e pafund është e aftë t’u kushtojë të njëjtën vëmendje miliona njerëzve, sikur një person i vetëm po kërkon vëmendje. Po ashtu edhe mungesa e shprehjeve të duhura, paaftësia për të shprehur dëshirat e thella të shpirtit nuk i rrezikon lutjet tona, sepse: “Dhe do të ndodhë që, para se të më kërkojnë, unë do të përgjigjem; do të jenë akoma duke folur, dhe unë do t’ua plotësoj (Isa. 65:24).

      “I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij” (Ps. 147:5). Perëndia nuk njeh vetëm çfarëdo që ka ndodhur në të kaluarën në çdo pjesë të territorit të tij dhe Ai nuk njeh vetëm gjithçka që ndodh në mbarë gjithësinë, por njeh përsosmërisht çdo ngjarje, nga më e vogla deri në më të madhen që do të ndodhë në të ardhmen. Njohja e Perëndisë është aq e plotë sa njohja e tij ndaj të kaluarës dhe të tanishmes dhe kjo ndodh pasi e ardhmja varet krejt prej tij. Nëse mund të ndodhte diçka pa ndërmjetësimin apo lejen e Perëndisë, atëherë ajo do të ishte e pavarur prej tij dhe ai nuk do të ishte më Suprem.

      Njohja hyjnore e të ardhmes nuk është thjesht diçka abstrakte, por diçka që është në mënyrë të pandashme e lidhur dhe e shoqëruar me qëllimin e tij. Vetë Perëndia ka projektuar çfarëdo që do të ndodhë dhe çfarë ai ka projektuar do të zbatohet. Siç e pohon Fjala e Tij tepër e sigurtë: “Tërë banorët e dheut përpara tij konsiderohen si asgjë; ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën ose t’i thotë: “Çfarë po bën?” (Danieli 4:35). Dhe përsëri: “Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar” (Fjalët e Urta 19:21). Duke qenë se si urtësia ashtu edhe fuqia e Perëndisë janë të pafundme, përmbushja e qëllimeve të tij është tërësisht e garantuar. Ashtu si nuk është e mundur që Perëndia i shenjtë trini të gënjejë, po ashtu nuk është e mundur që këshilla hyjnore të mos zbatohet.

      Asgjë që lidhet me të ardhmen nuk është po ashtu e pasigurtë, përsa i përket zbatimit të këshillës së Perëndisë. Asnjë nga dekretet nuk u lihet mundësisë së krijesave apo shkaqeve sekondare. Nuk ka ngjarje të ardhshme që të jetë thjesht një mundësi, pra diçka që mund apo mund të mos ndodhë. “Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij” (Veprat 15:18). Çfarëdo që Perëndia ka dekretuar është patundshmërisht e sigurtë, sepse te ai nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi (Jakobi 1:17). Prandaj lexojmë që në fillim të këtij libri që na zbulon një pjesë të mirë të së ardhmes për “gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti” (Zbulesa 1:1).

      Njohja e përsosur e Perëndisë ilustrohet në çdo profeci që gjendet në Fjalën e tij. Në Dhjatën e Vjetër gjejmë një sërë parashikimesh në lidhje me historinë e Izraelit, që janë përmbushur në çdo detaj të imët, shekuj pas kohës kur janë shkruar. Në to gjenden edhe parashikime të tjera që profetizojnë vitet e para të shërbesës së Krishtit, të cilat janë përmbushur përsosmërisht gjithashtu. Profeci të tilla mund të jepeshin vetëm nga një person që e njihte fundin që në fillim dhe që zotëron një njohje e cila qëndron mbi sigurinë e pakushtëzuar të përmbushjes së çdo gjëje të parashikuar. Po ashtu, si Dhjata e Vjetër, ashtu edhe ajo e re përmbajnë shumë njoftime të tjera që i përkasin të ardhmes, të cilat edhe ato “duhet të përmbushen” (Luka 24:44), sepse janë profetizuar prej dekretuesit të tyre.

      Por duhet të theksohet se as njohja e Perëndisë e as njohuria e tij për të ardhmen, e marrë në vetvete, nuk janë shkakësore. Asgjë nuk ka ndodhur e as ka për të ndodhur thjesht sepse Perëndia ka qenë në dijeni. Shkaku i çdo gjëje është vullneti i Perëndisë. Njeriu që u beson seriozisht Shkrimeve e di që më parë se stinët do të pasojnë njëra-tjetrën me rregulltësi të pandryshueshme deri në fund të historisë së botës (Zan. 8:22) e megjithatë njohja e tij nuk është shkaku i vazhdimësisë së tyre. Pra njohja e Perëndisë nuk rrjedh nga gjërat, nëse ato janë apo do të jenë por sepse ai i ka paracaktuar ato. Perëndia e dinte dhe e kishte parathënë kryqëzimin e Birit të tij me qindra vjet para se të mishërohej dhe kjo, pasi sipas qëllimit hyjnor, Ai ishte një Qengj i therur që nga themeli i botës: prandaj ne lexojmë që u dorëzua “sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë” (Veprat 2:23).

      Nja dy fjalë zbatimi. Njohja e pafund e Perëndisë duhet të na mrekullojë. Sa shumë më lart se njeriu më i zgjuar është Zoti! Asnjë nga ne nuk e di se çfarë mund t’i sjellë dita, por e tërë e ardhmja ndodhet nën shikimin e Tij të gjithëdishëm. Njohja e pafund e Perëndisë duhet të na mbushë me nderim të shenjtë. Asgjë që bëjmë, themi apo dhe mendojmë nuk i shpëton Atij me të cilin kemi të bëjmë: “Sytë e Zotit janë kudo për të shikuar të këqijtë dhe të mirët” (Fj. Urta 15:3).

      Sa do të na frenonte kjo, po të meditonim mbi të më shpesh! Por përkundrazi, në vend që të sillemi pa kujdes, ne duhet të themi bashkë me Hagarin “Atëherë Agari thirri emrin e Zotit që i kishte folur: “Ti je El-Roi”, sepse tha: “A e pashë me të vërtetë atë që më shikon?” (Zan.16:13). Kuptimi i njohjes së pafund të Perëndisë duhet ta mbushë të krishterin me adhurim. E gjithë jeta ime ishte që nga fillimi nën shikimin e Tij. Edhe pse e parashikoi çdo rënie në mëkat, çdo rebelim, Ai e vendosi zemrën e tij mbi mua. Duke e kuptuar këtë, unë duhet të përkulem i mrekulluar dhe ta adhuroj Atë!