• on 06/05/2008

01.Vetë-mjaftueshmëria e Perëndisë – Atributet e Perendise

  Titulli i këtij artikulli mund të mos jetë ndoshta aq i qartë sa të shfaqë temën e tij. Kjo ndodh pjesërisht për shkak se sot shumë pak të krishterë janë të mësuar me meditimin e përsosmërive personale të Perëndisë. Relativisht pak prej atyre që e lexojnë Biblën herë pas here janë të vetë-dijshëm për madhështinë e natyrës hyjnore, që të frymëzon për ta nderuar dhe të nxit për të adhuruar Perëndinë. Shumë veta e supozojnë faktin që Perëndia është i madh në urtësi, i mrekullueshëm në fuqi e megjithatë plot mëshirë si diçka që dihet nga të gjithë por janë të paktë ata që në këto kohë të degjeneruara, janë përpjekur që të arrijnë një koncept të përshtatshme mbi qënien, natyrën dhe atributet e Tij, siç na zbulohen në shkrimet e shenjta. Perëndia është i vetëm në përsosmërinë e tij. “Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?” (Eksodi 15:11). “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën”. (Zan. 1:1). Ishte një kohë, nëse mund të quhet “kohë”, kur Perëndia në unitetin e natyrës së Tij jetonte krejt i vetëm, ndonëse në tre persona njësoj hyjnorë. “Në fillim Perëndia”. Nuk kishte qiell aty ku shfaqet tani lavdia e Tij, nuk kishte as tokë që t’i tërhiqte vëmendjen. Nuk kishte as engjëj, që t’i thurnin lavde e nuk kishte as gjithësi që të varej prej fuqisë së fjalës së Tij. Nuk kishte asgjë e askush tjetër përveç Perëndisë e kjo jo për një ditë, as një vit apo një epokë, por “nga përjetësia”. Në përjetësi, Perëndia ka qenë i vetëm: i vetëmjaftueshëm dhe i vetëkënaqur, pa pasur nevojë për asgjë. Po të kishte qenë gjithësia, engjëjt dhe qeniet njerëzore të nevojshme për të, ato do të ishin krijuar nga përjetësia. Kur i krijoi, ato nuk i shtuan asgjë Perëndisë në thelb. Ai nuk ndryshon (Malakia 3:6), prandaj lavdia e Tij as nuk mund të shtohet e as nuk mund të pakësohet.

      Perëndia nuk kishte asnjë detyrim e domosdoshmëri për të krijuar. Ai zgjodhi vetë ta bënte këtë, thjesht duke vepruar në mënyrë sovrane dhe jo i shtyrë nga ndonjë gjë jashtë Vetes, duke u nisur vetëm nga kënaqësia e tij, sepse Ai “Në të edhe kemi qenë zgjedhur për një trashëgimi, duke qenë të paracaktuar sipas vendimit të atij që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij” (Efes. 1:11). Ai krijoi thjesht për të shfaqur lavdinë e vet. Mos disa prej lexuesve tanë mendojnë se kemi tejkaluar atë që përligj Shkrimi? Atëherë ne do t’i drejtohemi Ligjit dhe Dëshmisë: “Çohuni dhe bekoni Zotin, Perëndinë tuaj, nga përjetësia në përjetësi! Qoftë i bekuar emri yt i lavdishëm, që lartësohet mbi çdo bekim dhe lëvdim!” (Nehemia 9:5). Perëndia nuk fiton asgjë edhe prej adhurimit tonë. Atij nuk i nevojitej aspak lavdia e dukshme e të shpenguarve sepse Ai është mjaft i lavdishëm edhe pa këtë lavdi. Çfarë e shtyu Atë që të paracaktonte të zgjedhurit e tij për lavdinë e hirit të Tij? Siç na tregohet tek Efesianëve 1:5, thjesht dëshira e mirë e vullnetit të tij.

      Ne jemi të vetëdijshëm se terreni i vështirë që po shkelim është i ri dhe i çuditshëm për të gjithë lexuesit tanë, prandaj është mire të ecim dalëngadalë. Le t’i drejtohemi edhe një herë Shkrimeve. Nga fundi i kapitullit 11 të Romakëve, ku Apostulli e mbyll argumentin e tij të gjatë mbi shpëtimin prej hirit të pastër dhe sovran, ai pyet “Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij? Ose kush i dha atij më parë, që të ketë për të marrë shpagim?” (vargjet 34, 35). Këto vargje theksojnë që është e pamundur që i Plotfuqishmi t’i nënshtrohet detyrimeve të krijesës sepse Perëndia nuk përfiton asgjë prej nesh. “Në rast se je i drejtë, çfarë i jep, ose çfarë merr ai nga dora jote? Ligësia jote mund të dëmtojë vetëm një njeri si ti, dhe drejtësia jote mundet t’i sjellë vetëm dobi birit të një njeriu” (Jobi 35:7,8), por nuk e prek fare Perëndinë që është tërësisht i bekuar në Vetvete. “Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: “Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënim”” (Luka 17:10), pra bindja nuk i sjell asnjë përfitim Perëndisë. Madje mund të shkojmë edhe më tej: Zoti ynë Jezu Krishti nuk i shtoi asgjë Perëndisë në qënien dhe lavdinë e Tij thelbësore, si me atë që bëri, ashtu edhe me atë që vuajti. Ai vërtet na e shfaqi lavdinë, diçka kjo mjaft e bekuar dhe e lavdishme, por nuk i shtoi asgjë Perëndisë. Ai vetë e shpreh këtë me fjalët e tij: “I thashë Zotit: “Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje” (Ps. 16:2). I tërë psalmi është i Krishtit. Mirësia ose drejtësia e Krishtit arrin tek të gjithë shenjtorët e tij në tokë (Ps. 16:3), por Perëndia është më i larti dhe ia kalon gjithçkaje, Ai vetëm është i “Bekuari” (Mark 14:61).

      Ёshtë krejtësisht e vërtetë që Perëndia nderohet dhe çnderohet nga njerëzit, jo në karakterin e tij, por në zbulesën që ai i ka bërë njeriut. Ёshtë po ashtu e vërtetë që Perëndia është “lavdëruar” nëpërmjet krijimit, nëpërmjet providencës dhe nëpërmjet shpengimit. Këtë nuk guxojmë ta vëmë në diskutim as dhe për një çast. Por e gjitha kjo ka të bëjë me lavdinë e Tij të dukshme dhe njohjen e saj prej nesh. E megjithatë po t’i kishte pëlqyer Perëndisë Ai mund të kishte vazhduar të ekzistonte i vetëm për tërë përjetësinë, pa ia zbuluar lavdinë e tij krijesave. Vendimi nëse do ta bënte këtë apo jo, do të përcaktohej vetëm nga vullneti i Tij. Ai ishte përsosurisht i bekuar në vetvete, para se të vinte në ekzistencë krijesa e parë. Po tani ç’janë për të gjitha krijesat e duarve të tij! Përgjigjen e jep përsëri Shkrimi: “Ja, kombet janë si një pikë ujë në një kovë, konsiderohen si pluhuri i një peshoreje; ja, ai i ngre ishujt si të ishin një send shumë i vogël. Libani nuk do të mjaftonte për të siguruar lëndën djegëse që i duhet zjarrit, as kafshët e tij nuk do të mjaftonin për olokaustin. Të gjitha kombet janë si një hiç para tij dhe konsiderohen prej tij si një hiç dhe një kotësi. Kujt dëshironi t’i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t’i vinit përballë?” (Isaia 40:15-18). Ky është Perëndia i Shkrimit e mjerisht është megjithatë “Perëndia i panjohur” (Veprat 17:23) për mori njerëzish që nuk dëgjojnë. “Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca; ai i shpalos qiejtë si një velo dhe i hap si një çadër ku mund të banosh. Ai i katandis princat në një hiç dhe i bën të panevojshëm gjykatësit e tokës” (Isa. 40:22,23). Sa shumë që ndryshon Perëndia i Shkrimit nga perëndia që predikohet zakonisht sot!

      As dëshmia e Dhjatës së Re nuk është e ndryshme nga ajo e Dhjatës së Vjetër: si mund të jetë kur të dyja kanë të njëjtin autor! Edhe në Dhjatën e Re lexojmë: “Ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen” (1 Tim. 6:16). Një Perëndi i tillë duhet të nderohet, adhurohet e admirohet. Ai është i vetëm në madhështinë e tij, unik dhe i pashoq në përsosmërinë e tij. Ai mban gjithçka por nuk varet prej asgjëje. Ai u jep të gjithëve por nuk pasurohet prej askujt.

      Një Perëndi i tillë nuk mund të gjendet duke e kërkuar por mund të njihet vetëm kur i zbulohet zemrës me anë të Frymës së Shenjtë nëpërmjet Fjalës. Megjithëse krijimi shfaq një Krijues dhe është mjaft e qartë se njerëzit janë “të pashfajësueshëm”, ne duhet të themi me Jobin: “Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij. Ç’murmurimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë! Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij? (Jobi 26:14). Ne besojmë se argumenti i përdorur me qëllim nga “apologjetët e sinqertë” ka shkaktuar më shumë të këqija se të mira, pasi është përpjekur që ta ulë Perëndinë e madh në nivelin e një perceptimi të kufizuar, duke shmangur si rrjedhim përsosmërinë e Tij unike.

      Ёshtë vënë re një ngjashmëri midis një njeriu të egër që ka gjetur një orë në rërë dhe duke e vështruar me kujdes ai e merr atë për orëndreqës. Deri këtu mirë, por po të shkosh më tutje dhe të supozosh se njeriu i egër ulet në rërë dhe përpiqet të formojë një ide për këtë orëndreqës: për aspekte të ndryshme të personalitetit të tij; arritjet dhe cilësitë morale; a mundet ta perceptojë një njeri të vërtetë, krijuesin e orës, që ai mund të thotë “e kam njohur atë?”. Duket diçka e papërfillshme të bësh pyetje të tilla, por a mundet dot që ta konceptojë arsyeja e njeriut Perëndinë e përjetshëm dhe të pafund? Sigurisht që jo! Perëndia i Shkrimit mund të njihet vetëm nga ata të cilëve ai u zbulohet.

      Perëndia as nuk mund të njihet nëpërmjet intelektit. “Perëndia është Frymë” (Gjoni 4:24), prandaj mund të njihet vetëm shpirtërisht. Por njeriu i rënë në mëkat nuk është shpirtëror por mishor. Ai është i vdekur ndaj gjithçkaje shpirtërore. Pa u rilindur mbinatyrshëm, duke kaluar nga vdekja në jetë, nga errësira në jetë, ai nuk mund të shohë gjërat e Perëndisë (Gjoni 3:3) e aq më pak të mund t’i kuptojë ato (1 Korintasve 2:14). Fryma e Shenjtë duhet të ndriçojë në zemrat tona e jo intelektin tonë që të na japë “njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 Kor.4:6). Madje edhe kjo njohje shpirtërore është fragmentare. Shpirti i përtërirë duhet të rritet në hir dhe në njohjen e Zotit Jezus (2 Pjetër 3:18).

      Lutja dhe synimi kryesor i të krishterëve duhet të jetë: “Që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë” (Kolosianëve 1:10).