01-Nevoja Jonë Për Letrën drejtuar Filipianëve

  • on 10/01/2016

01-Nevoja Jonë Për Letrën drejtuar Filipianëve

Përse duhet që të Krishterët sot të studiojnë Letrën e Palit drejtuar të besimtarëve të Kishës në Filipi, një letër që u shkrua rreth vitit 60 Pas Krishtit? Përse duhet që të Krishterët Shqiptarë të studiojnë këtë letër që Pali u shkroi besimtarëve që jetuan në një vend tjetër, të një kombësie tjetër, me zakone e tradita të tjera, në një kontekst tjetër? E thënë shkurt, dy janë arsyet kryesore. Së pari, sepse kjo letër nuk ka për autor vetëm Apostullin e Krishtit por edhe Frymën e Shenjtë të Krishtit. Si rrjedhim, edhe pse kjo letër reflekton kontekstin historik të kohës në të cilën u shkrua dhe se për kë u shkrua, kjo letër është gjithashtu Fjala e frymëzuar dhe autoritare e Perëndisë së Përjetshëm, i cili kur foli përmes penës së Profetëve dhe Apostujve, e bëri këtë në një mënyrë të tillë që fjala e tij të ishte përjetësisht e aplikueshme për të gjitha gjeneratat që do të vinin në të gjitha kontinentet që do të jetonin.

Arsyeja e dytë që ne duhet të studiojmë këtë letër të mrekullueshme, të Frymëzuar e dhuruar nga Lart, është edhe mesazhi dhe parimet që ajo përmban për ne. Shkurtimisht, tema kryesore e Letrës së Filipianëve është inkurajimi: Fryma e Shenjtë përmes Palit ka për qëllim që të inkurajojë besimtarët që të jetojnë si qytetarë të kolonisë (në rastin e Filipianëve) apo të qytetit qiellor, përmes një përkushtimi gjithnjë e në rritje ndaj shërbesës së Ungjillit, ndaj vetë Perëndisë, si edhe ndaj njëri-tjetrit, siç e kemi të ilustruar nga vetë jeta e Krishtit, Palit dhe Epafroditit.

Në këtë kapitull hyrës, do të shikojmë të shkurtuara, disa prej temave kryesore të kësaj letre, jo vetëm për të dhënë një këqyrje të përgjithshme të përmbajtjes së saj, por edhe për të parë aplikueshmërinë e saj për ne sot. Pra, çfarë na mëson dhe çfarë na thërret për të bërë Letra e Palit drejtuar Filipianëve?

Vargje të Dashura

Katër kapitujt e kësaj letre me 104 vargjet e saj, i kanë dhënë më shumë vargje të paharrueshme dhe të dashura për citim të Krishterëve se sa çdo libër tjetër i Biblës me të njëjtin gjatësi relative. Ja disa prej tyre:

  • 1:21 Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim.
  • 1:23 sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë.
  • 1:27 Ju veç, silluni në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit.
  • 2:3-4 Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten. Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.
  • 2:5-11 Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin, i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë, por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit; 8 dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit. Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.
  • 2:12-13 Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje, sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.
  • 3:8-9 Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin, dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit.
  • 3:13-14 Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara, po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.
  • 3:20 Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht.
  • 4:4 Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!
  • 4:6-7 Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.
  • 4:8 Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni.
  • 4:11 Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjendjen që jam.
  • 4:13 Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon.

Por ka një rrezik të madh në këtë dashuri të ungjillorëve për këto vargje. Ato shpesh herë memorizohen dhe kuptohen jashtë kontekstit letrar dhe teologjik të letrës, duke marrë kështu një jetë tjetër teologjike dhe praktike, duke u zbrazur kështu nga thellësia e tyre teologjike e praktike nga njëra anë dhe duke u sentimentalizuar dhe keq aplikuar nga ana tjetër. Për këtë arsye, një studim i detajuar i mesazhit të Palit në këtë letër është tejet i nevojshëm dhe praktik.

Besim Gëzim-ndjellës Pavarësisht Vështirësive

Së dyti, kjo letër na tregon se si mund të jemi të Krishterë plot besim e jetë, me një shpresë e gëzim infektues pavarësisht sprovave e sfidave të shumta të jetës. Një prej temave kryesore të letrës është tema e gëzimit, dhe është në fakt libri më gëzim-plotë i Biblës. Për gjatë gjithë letrës Pali flet gjashtëmbëdhjetë herë për një gëzim të brendshëm. Ai gëzohet në këtë letër për avancimin e ungjillit, për shenjtërimin e besimtarëve të Kishës në Filipi, për dhuratat e tyre dhe madje edhe në sfidat e shumta që i kishin rënë mbi kokë. Dhe përpara se sa ndokush të mendojë se gëzimi i Palit ishte për shkak të situatës së tij të jashtme të rehatshme, duhet të kujtojmë se ky gëzim në Zotin ishte pavarësisht situatave të vështira në të cilën e gjente veten. Le të kujtojmë se nga e shkroi Pali këtë letër.

Ai ishte në Romë, në birucën e bukur Romak, duke pritur për ekzekutimin e mundshëm nga dhëmbët e luanëve. Përveç Timoteut të gjithë të tjerët e kishin braktisur, dhe madje edhe Epafroditi i cili si një prej drejtuesve të Kishës në Filipi pat ardhur për tu kujdesur për të, do të dërgohej përsëri në Filipi nga Pali me këtë letër në dorë. Pali ishte i braktisur e i vetëm.

Kur mendojmë për atë letër të mrekullueshme që Pali u pat dërguar Romakëve, ne do të imagjinonim se Kisha atje në Romë e donte Palin dhe po kujdesej për Apostullin e Krishtit. Por e kundërta është e vërtetë. Disa e pritën atë vërtetë si të tillë, por pas dy vjetësh, shumë prej pastorëve lokalë e shikonin Palin me xhelozi dhe si rrjedhim edhe e neglizhuan. Me kalimin e kohës, Palin e harruan në Romë. Kur Onesifori (2 Tim. 1:16; 4:19) shkoi ta kërkonte, askush nuk dinte ti thoshte se në cilën prej birucave të shumta në Romë dergjej Pali. Palin e kishin harruar. Dhe vetëm pas kërkimeve të shumta, Onesifori besnik e gjeti Palin në gjendje të mjerueshme në burg. “Zoti i dhëntë mëshirë familjes së Onesiforit, sepse shpeshherë më dha zemër dhe nuk pati turp nga prangat e mia; madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë zell dhe më gjeti” (2 Tim. 1:16-17).

E megjithatë, Pali flet plot gëzim, për një jetë plot gëzim që ai përjetonte, e madje thotë-Siç unë gëzoj, gëzohuni edhe ju. Kjo është një gjë e mundur, siç është e mundur edhe për mua.-Pali nuk ofron ndonjë zgjidhje filozofike problemit të vjetër të vuajtjes në botë, dhe as nuk i përgjigjet pyetjes se “Përse Perëndia i Plotfuqishëm lejon që tu ndodhin gjëra të këqija njerëzve të mirë?” Por Pali shtjellon perspektivën dhe reagimin e Krishterë në përjetimin e vuajtjeve dhe sprovave të jetës. Pali ka gëzim, dhe kjo jo sepse ai beson se vuajtja është diçka e mirë apo sepse është mazokist. Por sepse ai e di se Perëndia, përmes vuajtjeve, vdekjes dhe ngjalljes së Krishtit, madje edhe të shërbëtorëve të tij, po përmbush planin e tij të shpëtimit, të pajtimit të botës me veten e Tij. Kështu ai kupton se burgosja e tij ishte për avancimit e ungjillit dhe kjo është arsye për gëzim (1:12). Po në të njëjtën mënyrë, edhe persekutimi apo vuajtjet e Filipianëve si letër-marrësit e parë, apo edhe sprovat tona sot si të Krishterë të shekullit të 21 në Shqipëri na japin mundësinë që, si bij të Perëndisë, të ndriçojmë në këtë botë, “në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur” “si pishtarë…duke e mbajtur lart fjalën e jetës” (2:15). Dhe ndryshe nga “ungjilli i prosperitetit” që keqinterpreton 4:19 duke thënë se nëse kanë besim, dhe Perëndia do ti bëjë të gjithë besimtarët të pasur, të shëndetshëm dhe pa vuajtje e strese në jetë, Pali na mëson në këtë letër Perëndia zakonisht punon përmes dobësisë dhe vuajtjeve për të arritur qëllimet e tij, dhe se çfarëdo lloj  ungjilli që nuk mban mbi vete vulën e kryqit është një devijim nga besimi apostolik.

Sekreti i Palit: Mendja e Mbushur me Krishtin

Cili ishte sekreti i këtij gëzimi kaq të qëndrueshëm të Palit? Pse kaq pak prej të Krishterëve sot e kanë këtë gëzim? Sekreti i tij ishte ky: Pali e pat mbushur mendjen e tij me Krishtin. Mendja e njeriut është në gjendje që të mendojë vetëm për një gjë në të njëjtën kohë. Pali ose do të mendonte për problemet e tij që do ta çonin në dëshpërim e depresion ose do të mendonte për Krishtin. Ai pat vendosur që ta mbushte mendjen e tij me Krishtin. Dhe thirrja e Palit për Filipianët atëherë dhe për ne sot është të bëjmë të njëjtën gjë: Të mbushim mendjen dhe zemrën tonë me Krishtin. Dhe kjo është arsyeja e tretë se përse duhet ta studiojmë këtë letër.

E shikojmë që Pali e bën këtë gjë në faktin se sa herë e përmend ai Krishtin. Vetëm në kapitullin e parë, fjalët Krisht dhe Jezus Krisht përmenden shtatëmbëdhjetë herë, pra gati çdo dy vargje ai flet për Krishtin. Po, Pali flet shumë për gëzimin, por kjo temë mbikalohet nga tema e Krishtit. Me tërë qenien e tij, çfarë Pali dëshironte më shumë në jetë ishte që të njihte Jezusin, dhe ta njihte atë mirë.

Letra drejtuar Filipianëve na shpalos një shenjtor të vjetër, në zemrën e të cilit kjo botë kishte humbur çdo vlerë, çdo tërheqje, çdo tundim. Kjo botë nuk kishte më asgjë që mund ti ofronte Palit apo me të cilën të tundonte Palin. Nga këndvështrimi njerëzor, ai pat arritur shumë gjëra. Por drejtësia e tij e vjetër prej fariseu e rabini, krenaria kombëtare, zakonet religjioze, arsimimi e njohja intelektuale, e siguria dhe rehatia fizike nuk kishin se çfarë ti ofronin më Palit sepse, siç shkruan ai, “Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje. Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin,” (3:7-8). Kjo botë dhe idhujt e saj nuk kishin më fuqi mbi Palin, ai ishte i lirë në Krishtin sepse pat mbushur veten e tij me Krishtin.

Ky është për ne mesazhi i nevojshëm i Filipianëve! Krishti është gjithçka! Ai është mbi gjithçka! Ai është më i mirë, më i nevojshëm, më përmbushës se gjithçka! Ne na është dhënë shumë nga Perëndia, dhe shpesh herë humbasim fokusin dhe tundohemi duke u kënaqur më shumë me dhuratat e Perëndisë se ma me vetë Dhënësin. Tendenca jonë është që të mendojmë se gëzimi i vërtetë, i thellë dhe i plotë është në gjerat e përkohshme të kësaj bote. Por ne, si edhe Pali kemi nevojë që të marrim gëzimin e vërtetë që nuk pranon asnjë zëvendësues.

Jeta e Krishterë është një luftë për gëzimin në Krishtin. Ne nuk besojmë në mohimin e gëzimit, por ne mohimin e gëzimit sipërfaqësor. Ne nuk besojmë në mos kërkimin me insistim të kënaqësisë, por në kërkimin me insistim të kënaqësisë më të madhe të mundshme, të kënaqësisë më të mirë, më përmbushëse, të thellë dhe jo sipërfaqësore, të palëvizshme dhe të pashkatërrueshme, të fiksuar në vetë personin e palëvizshëm e sovran të Perëndisë dhe jo në gjërat e shkatërrueshme e kalimtare të kësaj botë. Apostulli Pal pat shijuar burimin e pafundmë e të përjetshëm të kënaqësisë e satisfaksionit në Jezus Krishtin, dhe bota pat humbur çdo shije për të. Kjo është thirrja për ne sot që del nga Letra e Filipianëve. Të mbushemi me Krishtin. Ky është sekreti i jetës së vërtetë Kristiane. Ky është sekreti i lumturisë dhe i gëzimit të vërtetë.

Përulësia Vet-harruese e Krishtit

Kjo letër është e rëndësishme për Kishën sot sepse përmban në të pasazhin më të jashtëzakonshëm Krishtologjik ndoshta ndër tërë letrat e Palit, atë që njihet si Himni i Krishtit, dhe që gjendet tek 2:5-11. Kjo letër nuk na shpalos vetëm se çfarë kishte në mendjen e Palit, por mbi të gjitha se çfarë kishte në mendjen e Krishtit. Ungjijtë na tregojnë se çfarë Krishti tha dhe bëri. Letrat didaktikë na tregojnë kuptimin e tyre. Por ky pasazh na tregon procesin e fshehtë, mënyrën se si Krishti mendon!:

Kini në ju po atë mendje që ishte në Jezu Krishtin,

i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie,

nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort

për të qenë barabar me Perëndinë,

por e zbrazi veten e tij,

duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit;

dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri,

e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje…

Kjo ishte mënyra se si Krishti, Biri i Perëndisë, Personi i Dytë i Trinisë mendoi dhe vendosi të bëjë në bashkëpunim me Atin e Frymën. Dhe kështu kjo letër na shpalos e lavdëron një Shpëtimtar, një Zot Sovran, që me një përulje vet-harruese, të shenjtë dhe të pashembullt, lë mënjanë privilegjet e rehatinë e të qenit Zoti i Universit e Princi i Engjëjve, dhe zbret në trajtën më të përulur të njeriut, që në vend të shërbehet nga të tjerët, t’u shërbejë Ai të tjerëve.

Përulësia Bashkuese e të Krishterëve

Por Letra drejtuar Filipianëve nuk flet vetëm për mënyrën se si mendonte Krishti dhe Pali, por edhe për mënyrën se si duhet të mendojnë të Krishterët në kontekstin e bashkësisë lokale. Në të njëjtin pasazh që flet për mënyrën se si mendoi Krishti Pali shkroi, “Kini në ju po atë mendje që ishte në Jezu Krishtin,” (2:5). Mendja e të krishterëve, qëndrimi i të Krishterëve duhet të eci paralel me atë të Krishtit dhe Apostujve të Tij. Krishti është modeli, ne duhet të jemi si ai. Nëse për Jezusin, synimi ishte shpëtimi ynë përmes përuljes së vetvetes dhe zbrazjes nga dëshira për tu kapur pas të drejtave personale për shkak të dashurisë për ne dhe bindjes ndaj Atit, për ne, thirrja është që ti ndërtojmë jetët tona në themelin e Krishtit.

Një prej temave që përsëritet shpesh në këtë letër është ajo e bashkësisë dhe e pjesëmarrjes në ungjillin dhe në njëri-tjetrin. Një prej rreziqeve që i kanosej kishës në Filipi ishte mungesa e unitetit. Rëndësinë e unitetit në Kishë Pali e thekson në dy pasazhe kryesore, 1:27-30, dhe 2:12-18, në të cilat Pali thekson se uniteti i Krishterë është i domosdoshëm për ti qëndruar sulmit të botës ndaj ungjillit (1:27-28; 2:16), për të pasur një dëshmi të besueshme ndaj botës mosbesuese (2:15), si dhe mbi të gjitha, për tu gjetur të pastër dhe të pamëkatë në ditën e Krishtit (2:12-13, 16).

Por për Palin, ndryshe nga sa mendon bota ungjillore sot, uniteti nuk duhet ndërtuar duke shkelur mbi thelbin e ungjillit. Uniteti është përreth të vërtetës së mësimit biblik, ndërtohet mbi të, përkufizohet prej saj, dhe mbrohet me të doktrinën e shëndoshë të mësimit biblik. Sot, kishat ungjillorë përpiqen që të ruajnë unitetin dhe një farë bashkëpunimi ndërmjet tyre, jo vetëm duke mos folur e debatuar më mbi të vërtetën biblike, por duke iu shmangur asaj deri në tallje. Në Kishën ungjillore sot termat doktrinë, teologji, kredo e besimit etj kuptohet negativisht dhe jo si përpjekje për të bashkuar kishën përreth të vërtetës së mësimit biblik. Uniteti i Krishterë është i Krishterë vetëm nëse ndërtohet mbi ungjillin apostolik të Krishtit, dhe është unitet vetëm nëse bëhemi pjesëmarrës të njëri-tjetrti për ta çuar atë përpara.

Por Pali, jo vetëm që thekson rëndësinë e unitetit të Krishterë, por edhe mënyrën se si arrihet ajo. Nga njëra anë ai jep urdhërime specifike si “Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi,” (2:3a), “Bëni çdo gjë pa u ankuar dhe pa kundërshtime,” (2:14). Gjithashtu ai jep edhe shembullin personal se si duhet të sillemi ndaj atyre me të cilët nuk biem dakord (1:17-18a; 3:15-16), dhe thotë se ne duhet të jemi të gatshëm të vendosim interesin e të tjerëve mbi tonin (1:1, 24-25; 2:25-26). Përulja vet-harruese e Krishtit është modeli ynë për përuljen tonë vet-harruese (2:5-11).

Ky lloj qëndrimi, kjo mendësi si e Krishtit shkon kaq kundra kohës në të cilën jetojmë. Ne, njerëzit moderne i jemi përkushtuar me devotshmëri vetpërmbushjes dhe vetkënaqësisë. Njeriu modern është përkufizuesi i vetvetes dhe është në qendër të universit të tij. Thirrja e Letrës drejtuar Filipianëve për ne sot është që ne të jemi planete në sistemit diellor të Krishtit, si Dielli i Drejtësisë së Perëndisë (Mal. 4:2).  Në këtë klimë shpirtërore bashkëkohore, duhet dëgjuar me kujdes mandati i Letrës për t’ia nënshtruar interesin personal atij të Krishtit, të avancimit të ungjillit dhe të mbretërisë së Perëndisë, duke u bashkuar guximshëm përreth thelbit të ungjillit.

Për tërë këto arsye që u renditën më sipër, si dhe për shumë arsye të tjera praktike për jetën e Kishës, i futemi studimit të Letrës së Palit drejtuar Filipianëve, me besimin se ashtu siç kjo fjalë e Perëndisë i bëri ata besnik deri në fund, bekimi i Perëndisë do të jetë mbi të gjithë ata që e lexojnë, e besojnë dhe e praktikojnë Fjalën e Tij.  AMEN.